Vendosni fjalën kyçe....

Raporti për 500 mijë dollarë financim rus në vitin 2017, ish-kreu i PD-së Basha: S’kemi marrë kurrë diçka të tillë, drejtësia e hodhi poshtë pretendimin


Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar pas daljes së një raporti amerikan sipas të cilit PD-ja ka përfituar 500 mijë dollarë financime nga Rusia në vitin 2017.

Ai pohoi se PD-ja nuk ka marrë asnjë financim të huaj, për më tepër nga një burim rus.

Basha theksoi se asokohe pas pretendimeve në disa media PD-ja e drejtuar prej tij kërkoi zyrtarisht hetim e bashkëpunoi me drejtësinë, që hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja.

Basha shkruan në Twitter se ‘jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA’.

“Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja. Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.” – shkruan Basha në Twitter.