Vendosni fjalën kyçe....

Lajmi për financimin rus, Ish-Sekretari PD-së Bardhi: Thashetheme e akuza të njohura, kanë marrë përgjigje nga institucionet


Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi deklaroi sot se lajmi për financim të PD-së nga burime ruse është thashethem i njohur e që ka marrë përgjigjen nga drejtësia.

I pyetur nga gazetarët mbi lajmin e Zërit të Amerikës që citonte një zyrtar të paidentifikuar amerikane së PD-ja kishte marrë shumën prej 500 mijë dollarësh financime në vitin 2017 nga Rusia ai tha se bëhet fjalë për një akuzë të njohur prej kohësh dhe se ai nuk ka pasur asnjë funksion asokohe në selinë blu.

“Unë njihem si Gazment Bardhi dhe mbaj përgjegjësi për vete. Është një lajm i njohur publik apo thashetheme apo akuzë e njohur prej kohësh, që ka marrë përgjigje nga institucionet. Nuk pashë ndonjë dokument apo të dhënë shtesë, të ndryshme nga ato që publiku shqiptar është njohur dhe më parë. Në 2017, nuk kam pasur asnjë funksion apo detyrë në PD.” – tha Bardhi.

Më herët ish-kreu i PD-së Basha tha se PD-ja nuk ka marrë asnjë financim të huaj, për më tepër nga burime ruse dhe se çështja është hetuar nga drejtësia asokohe që ka hedhur poshtë pretendimet në fjalë.