Vendosni fjalën kyçe....

Ish-e dashura e Elon Musk nxjerr në ankand dhuratat dhe fotot e tyre të kolegjit


Një grua që ka qenë në një lidhje me Elon Musk në kohën kur ishin në kolegj, po nxjerr në ankand një koleksion personal të fotografive dhe sendeve të tjera të lidhura me miliarderin nga koha e lidhjes dhe e studimeve të tyre në Universitetin e Pensilvanisë.

Ndër artikujt që shiten nga Jennifer Gwynne, ish-e dashura e Musk nga Virxhinia janë: një dollar i firmosur nga Musk, një kartolinë për ditëlindje që ai i dërgoi dhe një gjerdan ari që Musk ia dhuroi në vitin 1994. Ajo po i shet artikujt përmes një shtëpie ankandi me qendër në Boston për të ndihmuar paguajë kolegjin për njerkun e saj. Kështu raportoi gazeta britanike “The Independent”.

Gwynne po shet gjithsej 18 fotografi origjinale, mes të cilave foto të saj dhe të Elon Musk duke ngrënë dhe duke u shoqëruar me miqtë. Në një foto të vitit 1995, Gwynne dhe Musk janë të ulur në një stol jashtë konvikteve të shkollës.

Gwynne dhe Musk filluan të dilnin bashkë në vitin 1994, kur ajo ishte një këshilltare rezidente në të njëjtin konvikt të Universitetit të Pensilvanisë ku Musk jetonte. Musk u diplomua me një diplomë bachelor në fizikë dhe ekonomi, më pas ndoqi Universitetin Stanford, ku mori një doktoraturë në shkencat e materialeve.

Musk tani është CEO i “Tesla Motors” dhe themeluesi i “SpaceX”, si dhe njeriu më i pasur në botë me një vlerë neto prej rreth 219 miliardë dollarë.

Në një intervistë të muajit të kaluar me Inside Edition, Gwynne tha se kjo ka qenë lidhja e saj e parë serioze dhe e përshkroi Musk si “të ëmbël”, “të sjellshëm”, “të zgjuar” dhe “të angazhuar” në vitet e kolegjit, megjithëse nuk e shfaqte shumë dashurinë publikisht.

Ankandi online përfundon të mërkurën. Secili prej artikujve ka marrë nga tre deri në 33 oferta në faqen e internetit të RR Auction.

Që nga e hëna deri tani, kartolina e ditëlindjes po tërheq ofertën më të lartë në 10 mijë e 001 dollarë. Kartëmonedha e nënshkruar e dollarit do të kushtojë 7 mijë e 604 dollarë dhe oferta për gjerdanin prej ari 14karatësh është pak më pak se 6 mijë 000 dollarë. Gjerdani ka një smerald të vogël jeshil për të cilin Gwynne tha se vinte nga një minierë që babai i Musk zotëron në Afrikë.