Vendosni fjalën kyçe....

Dyfishohen eksportet turke drejt Rusisë


Vëllimi i eksporteve turke drejt Rusisë ka vijuar të rritet, duke tejkaluar 738 milionë dollarë vetëm në gusht, raportoi të enjten TASS, duke cituar të dhëna nga Asambleja e Eksportuesve Turke.

“Kjo është 87.2% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.” – tha shoqata tregtare për mediat, duke shtuar se ‘në gusht, Turqia vendosi një rekord absolut për eksportet në Rusi’.

Eksportet janë rritur me shpejtësi që kur Ankaraja lejoi kompanitë të mbushnin boshllëkun e lënë nga eksodi i kompanive perëndimore nga Rusia.

Muajin e kaluar, Turqia dhe Rusia nënshkruan një udhërrëfyes për bashkëpunimin ekonomik që parashikon rritjen e qarkullimit tregtar dypalësh në 100 miliardë dollarë në vit. Të dy vendet kanë rënë dakord gjithashtu të prezantojnë rublën ruse si monedhë për tregtinë dypalëshe, duke përfshirë furnizimet me gaz natyror rus.

Në një takim me liderin turk Erdogan në gusht, presidenti rus Putin vuri në dukje se vëllimet tregtare midis Moskës dhe Ankarasë po zgjeroheshin, duke u rritur me gati 60% vitin e kaluar dhe duke u dyfishuar në pesë muajt e parë të 2022.