Vendosni fjalën kyçe....

“S’do tërhiqemi përballë radikalëve të majtë të mbështetur nga Soros” – Ish-strategu i Trump


Ish-strategu i administratës Trump, Steve Bannon tha se akuzat e reja të shtetit të Nju Jorkut kundër tij për një skemë për mbledhjen e parave për të ndërtuar barriera kufitare në tokë private janë një përpjekje për ta heshtur atë përpara zgjedhjeve afatmesme të nëntorit.

“Ata kanë një tollovi populiste që është jashtë kontrollit dhe ata po përpiqen të më godasin këto zgjedhje.” – tha Bannon, drejtuesi i podkasit ‘Dhoma e Luftës’, për The Epoch Times.

“Ata po përpiqeshin të më nxirrnin jashtë platforme dhe të më mbyllnin. Nuk do të ndodhë.”

Bannon i bëri komentet një ditë pasi u shfaq në një sallë gjyqi të shtetit të Nju Jorkut në Manhattan më 8 shtator dhe u deklarua i pafajshëm për akuzat e pastrimit të parave, mashtrimit dhe konspiracionit në lidhje me një fushatë private financimi, të njohur si ‘Ne ndërtojmë murin’.

Prokurorët pretendojnë se Bannon mashtroi dhuruesit e fondeve që mblodhën më shumë se 15 milionë dollarë duke paguar më shumë se 100,000 dollarë te shefi ekzekutiv i fushatës, i cili ishte zotuar se nuk do merrte rrogë.

“Është një krim të përfitosh në kurrizin e dhuruesve duke bërë pretendime të rreme.” – tha Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, në një konferencë të përbashkët shtypi më 8 shtator me Prokuroren e Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James. Të dy janë demokratë.

Bannon u godit me akuza të ngjashme nga Departamenti i Drejtësisë (DOJ) në vitin 2020, por ai u fal nga Presidenti Donald Trump natën e tij të fundit përpara se të largohej nga detyra në janar 2021. Faljet presidenciale, megjithatë, nuk ndalojnë ndjekjet penale nga shteti.

Dy persona të tjerë që u akuzuan nga Departamenti i Drejtësisë u deklaruan fajtorë. Brian Kolfage dhe Andreë Badolato, janë në pritje të dënimit për komplot lidhur me rastin në fjalë. Secili prej tyre përballet me 20 vjet burg.

‘Shënjestër politike’

Bannon tha se akuzat e fundit ishin ‘shënjestrim i qartë politik’, duke vënë në dukje se asnjë nga tre burrat e tjerë nuk u padit në rastin e Nju Jorkut.

“Unë kurrë nuk kam pasur një rol zyrtar në projektin me ‘Ne ndërtojmë murin’. Është një kompani më vete.” – tha ai.

“Asnjë nga dhuruesit tanë nuk ka pasur ndonjëherë problem me ndonjë nga këto. ‘Ne Ndërtojmë Murin’ është një projekt fantastik. Një nga gjërat për të cilën jam më i nderuar që jam pjesë.” – tha ai.

Me rreth 60 ditë para zgjedhjeve afatmesme të nëntorit, autoritetet po veçojnë Bannon për ta goditur për shkak të suksesit të podcast-it të tij ‘Dhoma e Luftës’, pretendoi ish-strategu i Trump.

“Ata e kuptojnë se “Dhoma e Luftës” është një aparat shumë i rrezikshëm sepse i jep zë kujtdo. Ajo u jep një platformë të gjithë njerëzve në bazë.” – tha ai.

“Ata e kuptojnë se duhet ta mbyllin atë. Por nuk mund ta bëjnë. Programi vetëm sa po bëhet edhe më i madh.” – shtoi ai, duke vënë në dukje se dëgjuesit u rritën me paktën 10 për qind në të gjitha shfaqjet në 9 shtator pas paraqitjes së tij në gjykatë.

“Ne kurrë nuk do të tërhiqemi nga radikalët e majtë të mbështetur nga Sorosi që janë në administratën e Nju Jorkut.” – tha ai.

Aleatët e Trump në shënjestër

Bannon pohoi gjithashtu, duke cituar një burim ‘shumë të rëndësishëm’ të paidentifikuar, se gjatë të mërkurës dhe të enjtes, të paktën 35 ‘udhëheqës MAGA’ dhe bashkëpunëtorë të Trump u ‘bastisën’ nga FBI.

Komentet e Bannon pohojnë raportet nga Washington Post dhe New York Times se një juri e madhe federale në Uashington më 7 shtator lëshoi ​​fletëthirrje për një sërë ish-punonjësish të fushatës dhe Shtëpisë së Bardhë duke kërkuar informacion në lidhje me ‘Save America PAC’, mjeti i Trump për mbledhjen e fondeve të ngritur pas zgjedhjet 2020. Epoch Times nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur pretendimet.

Letërthirrjet janë pjesë e një hetimi federal për ngjarjet që lidhen me sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar dhe përpjekjet e Trump për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve. Ky hetim është i ndarë nga një tjetër hetim i Departamentit të Drejtësisë për shkelje të mundshme të ligjeve të mbajtjes së të dhënave, të cilat panë që FBI të bastiste shtëpinë e ish-presidentit Trump në Mar-a-Lago në fillim të gushtit në kërkim të të dhënave të klasifikuara që dyshohet se mbaheshin nga ai.

Sulmi ndaj Trump dhe aleatëve të tij është pjesë e një përpjekjeje për të heshtur të gjithë zërat politikë të opozitës’, tha Bannon.

“Elitat në këtë vend kanë marrë përsipër dhe përdorin të njëjtat teknika të Partisë Komuniste të paligjshme kineze. Ata duhet të mposhten në kutinë e votimit.” – shtoi ai.

Në korrik, një juri e shpalli Bannon fajtor për shpërfillje të Kongresit për kundërshtimin e një thirrjeje nga komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve më 6 janar. Për atë rast, ai përballet me një dënim minimal prej 30 ditësh burg dhe një gjobë, sipas Departamentit të Drejtësisë.

Përgatiti për Hashtag.al, k.manjani