Vendosni fjalën kyçe....

Si u kap në vilën luksoze në Peru shqiptari i “Kartelit të Ballkanit” (PAMJET)


Shqiptari i arrestuar gjatë një operacioni ndërkombëtar në Peru, 28-vjeçari Kadri Gjoci, cilësohet si një nga drejtuesit e rrjetit kriminal.

Sipas medieve në Peru, i riu nga Burreli i ishte rreshtuar krah një prej trafikanteve më të njohur të “Ndragheta” në botë, Pasquale Bifulco.

Shqiptari u kap nga autoritetet peruane në një vilë luksoze për të cilën mediet vazhdojnë të raportojnë edhe disa ditë pas arrestimit.

Në këtë godinë që kishte lulishte të mëdha, një pishinë, një palestër dhe komoditete të ndryshme, Policia ishte në kërkim të një subjekti që njihet me pseudonimin “Tyson” për shkak të ngjashmërisë fizike me boksierin e famshëm amerikan.

Por ky Tayson, ai i trafikut të drogës, jepte një lloj tjetër goditjeje. Sipas Policisë, ai ishte furnizuesi i drogës i organizatës shqiptare dhe italiane që dominon trafikun e paligjshëm të hidroklorurit të kokainës drejt Europës.

Policia peruane ka mundur ta kapë pikërisht Kadri Gjocin, i cili i përket kartelit famëkeq “Cártel de Los Balcanes”. Arrestimi i tij ndodhi pikërisht në godinën luksoze në Surquillo. Aty pranë, në Miraflores, agjentët e Dirandro ndërhynë duke arrestuar edhe Pasquale Bifulcon, italiani i cili është pjesë e mafies së rrezikshme “Ndrangheta”, e famshme për kontrollin e 80% të trafikut të kokainës në Europë.

Pasquale Bifulco ishte një i njohur në Peru, pasi tetë vite më parë ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për dërgimin e një ngarkese kokaine në Itali.

Ato kontakte ishin aq të sakta dhe efektive sa lejuan që dy tonë e gjysmë drogë të çoheshin nga Peruja në portin e Hamburgut në Gjermani. Ajo që trafikantët nuk e dinin ishte se Policia po vëzhgonte këtë ngarkesë. Agjentët e Antidrogës vijojnë hetimet për këtë rast për të identifikuar lidhjet e tjera të kësaj mafie të trafikut të drogës.

Policia po heton nëse ky rrjet ka lidhje me grupet kriminale shqiptare që në muajin qershor tentoi të dërgonte në Holandë 2200 kilogramë kokainë të lëngshme në bidona asparagus.