Vendosni fjalën kyçe....

Përbërësi kinez gjendet te avionët luftarakë amerikanë, bllokohet dërgesa


Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka ndaluar përkohësisht të gjitha dërgesat e avionëve luftarakë F-35 pasi mësoi se avioni luftarak përmbante një përbërës të bërë nga një aliazh me burim në Kinë, i cili shkel rregullat federale të blerjes, tha Pentagoni të mërkurën.

Departamenti vuri në dukje se arsyeja pas pezullimit ishte një magnet në motor, i cili përdorte një aliazh kobalti dhe samariumi që vinte nga Kina. Më konkretisht, magneti është një pjesë e një turbomakine që i jep fuqi starterit/gjeneratorit të montuar në motor të avionit. Sipas Pentagonit, materiali nuk përbën asnjë rrezik.

“Ne kemi konfirmuar se magneti nuk transmeton informacion ose dëmton integritetin e avionit dhe nuk ka rreziqe të paraqitjes, cilësisë e sigurisë që lidhen me këtë çështje.” – tha zëdhënësi i Pentagonit Russ Goemaere, duke shtuar se çdo F-35 do vazhdojnë funksionimin normal.

Siç është tani për tani, legjislacioni amerikan dhe politika e Pentagonit ndalojnë përdorimin e disa metaleve dhe lidhjeve nga një numër vendesh, duke përfshirë Kinën, Iranin, Korenë e Veriut dhe Rusinë.

Sipas Goemaere, Lockheed Martin, kontraktori kryesor që prodhon avionin e brezit të pestë, raportoi vullnetarisht mospërputhje dhe tashmë ka gjetur një burim alternativ për  përbërësin. Një rishikim është duke vazhduar për të përcaktuar se si ndodhi kjo, vuri në dukje ai.

Kontraktori i mbrojtjes tha se po punon me Pentagonin dhe partnerët e tij ‘për të siguruar pajtueshmërinë kontraktuale brenda zinxhirit të furnizimit’, duke shtuar se F-35 mbetet i sigurt për fluturim dhe kompania po bën çmos ‘për ta zgjidhur çështjen sa më shpejt’.

Kompania planifikon të furnizojë SHBA-në dhe partnerët e saj ndërkombëtarë me 153 prej avionëve luftarakë në vitin 2022, pasi ka dorëzuar 88 deri më tani këtë vit. Programi F-35 përfshin tetë partnerë ndërkombëtarë: SHBA-në, Britaninë, Italinë, Holandën, Australinë, Norvegjinë, Danimarkën dhe Kanadanë, me gjashtë vende të tjera që pritet të blejnë e përdorin avionët.