Vendosni fjalën kyçe....

Rama vijon debatin me Dumën: Ja një faturë konkrete, e vajtueshme kriza juaj e logjikës


Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur përsëri akuzave të opozitës se paketa e qeverisë për krizën nuk është e mjaftueshme dhe mbi llogaritë për faturën e energjisë elektrike.

 Rama ka publikuar një faturë konkrete në “Twitter”, ku sipas tij tregohet se sa kushtojnë 800kw/h.

“Ja një faturë reale, konkrete, aritmetikisht e pakontestueshme, që tregon se sa kushtojnë 800kwh dhe se sa reale, konkrete, aritmetikisht e vajtueshme është kriza e thellë logjike e ulëritësve profesionistë, në politikë e në media????”- shkroi Rama.

Ky koment i tij vjen në vazhdimësi të debatit të sotëm me deputeten demokrate Grida Duma.

Debati mes Ramës dhe Dumës u bë mbi çmimin që do duhet të paguajnë qytetarët që e kalojnë fashën e vendosur nga Qeveria në 800 kw/h. Duma i tha më herët Ramës se ekspertët dhe madje dhe vetë ministria e tij e Financave dhe e Ekonomisë e përllogarisin që çmimi i energjisë do të katërfishohet pas vendimit të qeverisë, për konsumatorë që shpenzojnë më shumë se 800 kw/h.

Kryeministri dhe deputetja nuk binin dakord dhe përpiqeshin t’i gjenin njëri-tjetrit gabime në llogaritje për faturën e energjisë.

Rama e kritikonte analizën e Dumësduke e ironizuar se 7×7 nuk bëjnë 42 (lexo këtu). Kryeministri tha se 800 kw/h energji nuk prodhojnë një faturë mujore 7.600 lekë sikurse shprehej Duma, por një faturë 9.120 lekë dhe kush do harxhojë mbi këtë fashë do paguajë me çmim tregu.