Vendosni fjalën kyçe....

55-vjeçarja dyshohet se u vetëvar në banesë. Policia ndalon bashkëshortin: Nuk kallëzoi ngjarjen por njoftoi familjarët për vdekje natyrale


Policia ka ndaluar shtetasin Sh.L 56-vjeç në Kamzë pasi bashkëshortja e tij dyshohet se është vetëvarur në banesë.

Policia dyshon se 56-vjeçari ka kryer veprat penale të “shkaktimit të vetëvrasjes” dhe “veprime që pengojnë të vërtetën”, kjo pasi sipas njoftimit të autoriteteve policore, bashkëshorti nuk kallëzoi ngjarjen në polici por lajmëroi familjarët e viktimës se viktima ka pësuar vdekje për shkaqe natyrale.

Më datë 04.09.2022, në Frutikulturë, në banesë dyshohet se është vetëvarur shtetasja Sh. L., 55 vjeçe.

Shërbimet e Policisë, nisur nga dyshimet e krijuara mbi kallëzimin e bërë më datë 05.09.2022, nga familjarët e shtetases Sh. L., kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se më datë 04.09.2022, rreth orës 15:00, në ambientet e banesës së saj, dyshohet se është vetëvarur shtetasja Sh. L., ndërsa bashkëshorti i saj, shtetasi Sh. L., nuk ka kallëzuar ngjarjen në Polici, por në mbrëmje ka njoftuar familjarët e viktimës, të cilëve u ka pohuar se shtetasja Sh. L. ka pësuar vdekje natyrale dhe ndaj kishte bërë gati të gjitha procedurat e varrimit.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit:

– Sh. L., 56 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”-njofton policia.