Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Brendshëm i Kosovës për rastin e 11-vjeçares: Kemi dështuar, vogëlushja është dhunuar për një vit rresht


Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka folur lidhur me abuzimin e vajzës 11-vjeçare në Prishtinë.

Ndërsa më parë dyshohej se e mitura ishte abuzuar seksualisht në dy raste në muajt qeshor dhe gusht, ministri ka deklaruar se në bazë të hetimeve abuzuesit e kishin dhunuar të miturën për më shumë se 1 vit.

Sveçla deklaroi se institucionet përgjegjëse kishin dështuar për të mbrojtur 11-vjeçaren dhe kërkoi identifikimin e të gjithë përdhunuesve, të cilët sipas tij ende nuk janë vendosur të gjithë në pranga.

“Nuk bëhet fjalë as për dy raste, por bëhet fjalë për më shumë raste të dhunimit të të miturës 11-vjeçare. Sa më shpejt që është e mundur, të dalim me të gjitha të gjeturat e këtij rasti, jashtëzakonisht të rëndë. Në këtë rast janë të përfshirë qoftë Prokuroria, qoftë qendra për punë sociale, qoftë Policia e Kosovës, por edhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë.

Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur së pari këtë të mitur, e pastaj për të identifikuar se çfarë ka ndodhur, dhe për të identifikuar të gjithë dhunuesit, e që fatkeqësisht të gjithë ende nuk janë arrestuar. Pres që Policia nën direktivat e Prokurorit, të angazhohet dhe të zbulohet e vërteta. Mund të them se e mitura është dhunuar për mbi një vit.”– tha ministri Sveçla.

Deri më tani për rastin e rëndë janë arrestuar 11 persona.