Vendosni fjalën kyçe....

Sulmohet me miell ministri i Financave të Kosovës, Hekuran Murati (VIDEO)


Ministri i Financave të Kosovës Hekuran Murati është sulmuar këtë të shtunë me miell në Prishtinë.

Incidenti ndodhi pas prezantimit të paketës për përballjen me inflacionin, por aktivstët e Partisë Social Demokrate e kanë gjuajtur me miell.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, dikur anëtar i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj ka publikuar një video nga ky moment në rrjetet sociale ku shprehet: “Aksion simbolik për punëtorët. Nuk mund të normalizohet lufta e pa precedentë që Hekuran Murati u ka shpallur punëtorëve. Prandaj, aksion, ndërhyrje, rezistencë.“

Paraditen e sotme, ministri Murati së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë mbajtur konferencë për media, ku kanë bërë me dije paketën që parashikon subvencione të faturave të energjisë elektrike për qytetarët që kursejnë energjinë.

Plani që nis në muajin shtator parashikon të ndahen nga 50 euro për zyrtarët publikë, nga 100 euro për pensionistët e dyfishim të pensionit për personat me asistencë sociale. Po ashtu, do të ketë subvecionim edhe për qytetarët që do të kursejnë rrymën. Sektori publik ka hyrë në grevë me kërkesën për 100 euro shtesa deri në miratimin e Projektligjit të Pagave, prandaj nuk heqin dorë nga greva përkundër shtesave që ka prezantuar sot qeveria.