Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuza Ramës: Po bën grusht shteti të pjesshëm me Policinë e Shtetit e SHISH-in


Kreu i PD-së Berisha ka deklaruar sot se kryeministri Rama po bën grusht shteti me lëvizjet e fundit në Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Informativ Shtetëror.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në selinë blu ai tha se zhvillimet e dy ditëve të fundit kanë elementë të një grushti shteti të pjesshëm duke përmendur shkarkimin e drejtorit të Policisë së Shtetit dhe largimin e kreut të SHISH-it, Helidon Bendo.

Po kështu ai denoncoi kryeministrin Rama e të vëllanë, Olsi Ramën si të përfshirë në çështjen e basteve sportive, të inceneratorëve e në shumë afera të tjera.

“Zhvillimet e dy ditëve të fundit kanë qenë zhvillime që në një farë mënyre, në një shtet normal të kujtojnë grushte shteti të pjesshme. Ti je kryeministër, por nuk mund ta heqësh drejtorin e Policisë së Shtetit pa motiv. Ti nuk mund të zëvendësosh drejtorin e SHISH pa shkarkuar drejtorin që e ka çuar në SHBA. Ti je kryeministër, por ti nuk mund t’i shkarkosh sepse janë institucionet më sensitive. Nuk mund të shkarkosh drejtorin e agjencisë kundër larjes së parave, pa dhënë motivin. Në mungesë të shkaqeve çdo qytetar shqiptar ka të drejtë të besoj se kanë qenë arsye personale.

Klani Rama është tashmë i përfolur në të gjitha këto afera. Te bastet, është përfolur te inceneratorët dhe call center. Dy persona kanë qenë të njohur në fushën e basteve, Ervis Martini si njeriu më kryesor i kësaj industrie. Fill pas zhdukjes, eleminimit apo largimit të tij, bastet u rikthyen për t’i marrë kush? Olsi Rama. Ai ka qenë njeriu në hije i basteve. Të gjitha këto që ndodhin nuk janë pa lidhje njera me tjetrën. Lëvizjet e fundit që ka bërë janë një grusht shteti i pjesshëm. Policia, SHISH dhe institucioni i luftës kundër parave janë shumë të rëndësishme. Sot mbreti i basteve është Olsi Rama, tani është i legalizuar.” – tha Berisha.