
Ilir Meta, presidenti i Partisë së Lirisë, i është drejtuar me një kërkesë publike GJKKO-së për transmetimin e drejtpërdrejtë të procesit gjyqësor ndaj tij.
Në një reagim publik, Meta kërkon që të gjitha seancat gjyqësore të transmetohen “live”, duke nisur nga seanca e parë e parashikuar më 27 prill 2026 dhe deri në përfundim të procesit.
Postimi:
Në respekt të qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë bashkëkombasve, kudo që ndodhen, të cilëve u kam shërbyer me përkushtim, përgjegjësi maksimale dhe ndjenjë të thellë patriotizmi në detyrat më të larta shtetërore (President i Republikës, Kryetar i Kuvendit dhe Kryeministër), i drejtohem sot Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën publike për të garantuar transmetimin e drejtpërdrejtë (live) të të gjithë këtij procesi, nga seanca e parë, të hënën, më datë 27 prill 2026 dhe deri në fund.
Në funksion të informimit publik, të gjithë gazetarëve dhe mediave të interesuara duhet t’ju garantohet sinjali i transmetimit (live).
Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik!