Vendosni fjalën kyçe....

Berisha denoncon Ballkanin e Hapur: Projekt antishqiptar, po përdoret nga Vuçiç për interesat serbo-ruse, Rama vasal i tyre


Kreu i PD-së Berisha ka denoncuar nismën Ballkani i Hapur duke e quajtur atë një projekt antishqiptar në shërbim të interesave serbe e ruse në rajon.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët në selinë blu, ai tha se presidenti serb Vuçiç po e përdor këtë nismë për të t’iu kundërvënë Procesit tëe Berlinit, për të vendosur hegjemomminë e tij në Ballkan, për të goditur Kosovën si dhe për të shkatërruar prodhimin në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut.

Berisha tha gjithashtu se Edi Rama është argumenti kryesor i Serbisë për të përçarë shqiptarë në Ballkan.

“Ballkani i Hapur është në çdo pikë një projekt kundër interesave shqiptare. Aleksandër Vuçiç, një serbomadh, po e përdor Ballkanin e Hapur në çdo aspekt. Në rrafshin politik për t’iu kundërvënë Procesit të Berlinit. Për të vendosur hegjemomninë e tij në Ballkan dhe për të vendosur ndikimin rus në Ballkan. Po e përdor për të shkatërruar prodhimin në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut pasi asnjë rregull nuk është përcaktuar në këtë aleancë trelaterale. Po e përdor për të demonizuar Prishtinën, po kjo i dështoi. Po e përdor në rrafshin psikologjik me doktrinën e vjetër të tyre se kemi të bëjmë me dy lloje shqiptarësh, shiptarski dhe albanski. Sipas tyre shiptarskit janë të mirë dhe janë në Shqipëri dhe albanskit janë të këqij dhe janë në Kosovë dhe kjo dogmë është përdorur dekada e dekada nga Beogradi. Dhe Edi Rama është bërë argument kryesor i kësaj dogme dhe tradhtar i kombit shqiptar.” – tha Berisha.

Deklarata e Berishës vjen një ditë pas asaj të ambasadorit amerikan në Beograd Christoher Hill, i cili tha se nisma Ballkani i Hapur ishte nismë e vendeve anëtare dhe nuk ishte e imponuar nga shtete të huaja.

Po kështu ai shprehu mbështetjen për nismën duke thënë se ajo i shërben bashkëpunimit të shteteve e jo ndarjes së tyre.