Vendosni fjalën kyçe....

Qindra emigrantë arritën në brigjet italiane gjatë fundjavës


 

Autoritetet italiane u përpoqën këtë të dielë për të lehtësuar mbipopullimin në strehimore pasi një numër i madh varkash që mbanin një total prej rreth 1 mijë emigrantësh arritën në brigjet e saj jugore.

Gati 50 varka mbërritën mes të premtes mbrëma dhe të shtunën në ishullin Lampedusa pranë Siçilisë, sipas radios shtetërore dhe mediave të tjera italiane. Varka të tjera që transportonin emigrantë arritën në ishullin tjetër, Pantelleria.

Siç shkruan AP, qindra emigrantë dolën në breg nga anijet e kontrabandistëve në ato ishuj. Disa nga anijet mbanin vetëm tetë pasagjerë. Por të tjera kishin rreth 100 pasagjerë në bord, pjesa më e madhe nga Tunizia.

Të tjera varka mbërritën në brigjet e kontinentit italian të shtunën, të pandihmuara ose të ndihmuara nga anijet e rojes bregdetare italiane.

Agjencia italiane e lajmeve ANSA tha se 92 emigrantë, shumica e të cilëve nga Afganistani, arritën të shtunën me një varkë me vela në Pulia. Emigrantë të tjerë lundruan për në Kalabri, ndërsa anije të tjera arritën në Siçili dhe Sardenjë, dy ishujt më të mëdhenj të Italisë, në dy ditët e fundit.

Në Sardenjë, u gjetën 29 migrantë duke ecur në rrugë.

Organizata humanitare Mjekët pa Kufij shkroi në Tëitter se një nga anijet e saj të shpëtimit, Geo Barents, shpëtoi 25 emigrantë (përfshirë pesë të mitur) nga një varkë e vogël në rrezik në ujërat ndërkombëtare afër Libisë të shtunën mbrëma. Geo Barents tashmë kishte edhe emigrantë të tjerë të shpëtuar në operacione të tjera.

Me zbarkimin e qindra emigrantëve nga varkat në ditët e fundit, kampi në Lampedusa u mbipopullua shpejt. Corriere della Sera tha se rezidenca strehonte 1 mijë e 500 azilkërkues, gati katërfishi i kapacitetit të saj.

Autoritetet e ministrisë së brendshme organizuan që një traget komercial pasagjerësh të lundronte nga Siçilia në Lampedusa, dhe të çonte rreth 250 emigrantë atje për të pakësuar turmën në objektin e ishullit të vogël.