Vendosni fjalën kyçe....

Pakistani i bën thirrje botës për ndihmë pas përmbytjeve masive


Pakistani po bën thirrje për ndihmë të mëtejshme ndërkombëtare pasi përmbytjet shkaktuan kërdi në të gjithë vendin.

Një zyrtar i ministrisë së brendshme tha për BBC-në se SHBA, Britania e Madhe, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe të tjerë kanë kontribuar, por nevojiten shumë më tepër fonde.

Më shumë se 1 mijë njerëz kanë vdekur dhe miliona janë zhvendosur që nga qershori, tha Salman Sufi.

Ai tha se qeveria e Pakistanit po bënte gjithçka në fuqinë e saj për të ndihmuar njerëzit.

Në veriperëndim të vendit, mijëra njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre pasi lumenjtë në provincën Khyber Pakhtunkhëa dolën nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje të fuqishme.

“Shtëpia që ndërtuam me vite të tëra mundim filloi të fundosej para syve tanë.”- tha Junaid Khan, 23 vjeç, për agjencinë e lajmeve AFP. “Ne u ulëm në anë të rrugës dhe shikonim shtëpinë tonë të ëndrrave duke u fundosur.”

Provinca e Sindhit në juglindje të vendit gjithashtu është prekur keq, me mijëra të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Duke folur për BBC, Sufi tha se vendi kishte nevojë të dëshpëruar për më shumë mbështetje ndërkombëtare.

“Pakistani ka qenë duke u përballur me probleme ekonomike, por tani, kur ne ishim gati t’i kapërcenim ato, goditi fatkeqësia e musonit.”– tha ai.

Financimi nga shumë projekte zhvillimi ështe ridrejtuar te njerëzit e prekur, shtoi ai. Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif tha se 33 milionë njerëz ishin prekur nga përmbytjet – rreth 15% e popullsisë së vendit.

Ai tha se humbjet e shkaktuara nga përmbytjet këtë sezon ishin të krahasueshme me ato gjatë përmbytjeve të viteve 2010-1011, që thuhet se janë më të këqijat e regjistruara.

Zyrtarët në vend fajësojnë ndryshimin e klimës për shkatërrimin.

Por planifikimi i dobët i qeverisjes vendore është përmendur gjithashtu si një faktor që ka përkeqësuar situatat e përmbytjeve në të kaluarën, me ndërtesa të ngritura shpesh në zona të prirura ndaj përmbytjeve sezonale.