Vendosni fjalën kyçe....

Atentati në Shkodër/ Dëshmia e 25-vjeçarit: Dy persona me motoçikletë u afruan dhe qëlluan drejt meje me 19 plumba


Të tjera detaje mësohen nga atentati i mbrëmjes së kaluar në Shkodër, ku 25-vjeçari Alban Bruçi i shpëtoi për mrekulli.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 në lagjen “Partizani” në Shkodër, ku në drejtim të të riut që ndodhej brenda automjetit të tij, janë qëlluar 19 plumba teksa por asnjëri nuk e ka kapur.

Pas ngjarjes Bruçi ka lënë automjetin e mbushur me plumba dhe ka shkuar në policinë e Shkodrës duke bërë kallëzimin për ngjarjen.

Mësohet se kanë qenë dy persona me motoçikletë ata që janë afruar dhe kanë qëlluar në drejtim të tij në ecje e sipër me breshëri.

25-vjeçari pretendon se nuk ka konflikte me njeri dhe se nuk e ka idenë kush mund ta ketë qëlluar.

“Nuk e kam idenë se kush mund të jenë autorët e kësaj ngjarje. Kam qenë duke shkuar në shtëpi kur dy persona me motoçikletë u afruan dhe qëlluan ndaj meje. Në atë moment u mundova që të shpëtoj dhe eca pak metra me makinë. Pasi u larguan nuk kisha marrë asnjë plumb dhe menjëherë erdha në polici për të treguar ngjarjen. Nuk kam konflikte me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund ta ketë bërë.”– citohet të ketë thënë Bruçi nga Balkanweb.

Sipas dyshimeve të policisë autorët nuk janë profesionistë siç ka ndodhur në disa atentate të tjera të kohëve të fundit. Alban Bruçi në vitin 2016 është akuzuar se ka plagosur një person afër teatrit “Migjeni” dhe asokohe është arrestuar si i dyshuar për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”. Dyshimet janë se atentati i mbrëmjes së kaluar mund të ketë lidhje me këtë ngjarje, por Bruçi e mohon një gjë të tillë.