Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta shkrimtari Nasho Jorgaqi


Është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare shkrimtari skenaristi e studiuesi Nasho Jorgaqi.

Ai lindi në Fier në vitin 1931 ndërsa gjatë karrierës së tij ka botuar një sërë veprash , skenarë filmash, përkthime e botime shkencore.

Ndër veprat e tij mund të përmenden Dashuria e Mimozës (1960), Ëndrra dhe plagë, novelë (1963), Tomka (1968), Qemal Stafa, biografi (1970), Mërgata e Qyqeve, roman (1978-1979), Atentatori i Perandorit, biografi (1980), Tregimet e Pranverës, tregime për fëmijë (1985), Larg dhe afër, udhëpërshkrime dhe meditime (1987), Udhëve të mërgimit, udhëpërshkrime dhe meditime (1994), etj.

Ka përgatitur për botim vepra të Fan Nolit, Faik Konicës, Mitrush Kutelit, Haki Stërmillit, Lumo Skëndos, etj. Ka përkthyer vepra të Anton Çehovit, Xh. Gollsuorthit, M. Prishvinit, A. Filipit, etj.

Në botimet e tij shkencore përfshihen veprat Antologji për Skënderbeun (1968), Antologji e mendimit estetik shqiptar (1504-1944), Udhëtim me Fan Nolin, (1995), Estetika e fjalës shqipe (studime, artikuj, ese, 1995), Portrete dhe gjurmime (artikuj dhe studime letrare, 2002) etj.

Jorgaqi ka shkruar edhe skenarët e filmave Mimoza Llastica (1979), Tomka dhe shokët e tij (1977), Duel i Heshtur (1967) e Tana (1958).