Vendosni fjalën kyçe....

“Pushteti i Ramës i paligjshëm, do largohet me protesta të fuqishme. Qeveria pesëfishoi koston e Rrugës së Arbrit”


Kreu i PD-së Berisha tha sot nga Dibra se kryeminstri Rama do largohet përmes protestave të fuqishme.

Gjatë një takimi me banorët e Dibrës ku bëri thirrje për mosndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, kreu i selisë blu tha se pushteti i Ramës është i paligjshëm ndërsa kritikoi sjelljen e opozitës nën drejtimin e Bashës.

“Rama është një makineri që grabit qytetarët. Kemi një betejë të madhe përpara, beteja është t’i themi Edi Ramës, boll vodhe, ik. Dhe ajo bëhet siç e thatë vetë këtu me protesta të fuqishme. Pushteti i tij është i paligjshëm, pushteti i tij ka ardhur nga droga, krimi dhe patronazhistët, ka ardhur nga shteti elektoral si në diktaturë. Nëse një kryeministër përdor shtetin për zgjedhje, ai nuk bën zgjedhje. Ishte fatale që opozita, jo pse humbi zgjedhjet, por nuk doli në shesh për t’i treguar vendin atij. Ajo fitore do i dalë nga hundët atij.” – tha Berisha.

Berisha tha më tej se qeveria poi grabit me ndërtimin e Rrugës së Arbrit duke pesëfishuar koston e ndërtimi.

“Çfarë ndodh me Rrugën e Arbrit? Ndërtuam 32 km, doli se në Qafën e Murrizit nuk mund të shpohej tuneli ku ishte parashikuar sepse kompania daneze gjeti se aty dilte rërë e ujë në mes të malit. Edi Rama e anuloi atë dhe mori kompani. Tani kanë shpuar malin aty ku nuk duhej shpuar dhe e fshehin dhe në kundërshtim me kontratën. Unë i them Gjokës dhe cilitdo se ajo që ndodh është një krim i rëndë ekonomik sepse është e firmosur në kontratë, e marr në përgjegjësinë time çdo shpenzim që del në rast se unë bie në struktura gjeologjike të papërshtatshme, ia paguan tani Edi Rama një për një të gjitha. E kam nga punonjësit e ministrisë dhe hajde dije se kur përfundon. Pra, përfundojnë rrugën duke pesëfishuar çmimin. Në BE një shkollë ndërtohet me 600 mijë euro, maksimumi 700 mijë. Veliaj ndërton shkollë në Tiranë me 3 mln euro. Sepse do vjedhin. Ne kemi rezerva të jashtëzakonshme, potenciale të jashtëzakonshme dhe ju garantoj ju se një gjeneratë të rinjsh do të aktivizohet me gjithë potencialin tonë për të ndezur motorët e ekonomisë shqiptare dhe Shqipëria do të ecë me një shpejtësi shumë të madhe.” – tha Berisha.