Vendosni fjalën kyçe....

Një nga “kriminelët më të kërkuar” në Britani, kapet pas 10-vitesh për t’u liruar përsëri


Një person i konsideruar si një nga kriminelët “më të kërkuar” të Britanisë u kap më në fund pas një gjuetie ndërkombëtare që zgjati më shumë se një dekadë, por për t’u liruar më pas në mënyrë të pashpjegueshme.

Në një rast që nxjerr në pah dështimin e sistemit të drejtësisë për të mbrojtur publikun, rumuni Adrian Vasilescu është përsëri në arrati.

Në vitin 2011, 42-vjeçari i cili kërkohej në atdheun e tij pasi i kishte prerë fytin një gruaje me një shishe të thyer, u përfshi në listën e kriminelëve të huaj të rrezikshëm në Britani.

Ai u gjurmua asokohe në zonën Manor Park të Londrës dhe u paraqit në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster për ekstradim. Por, i liruar me kusht, ai nuk e përmbushi urdhrin për t’u kontrolluar në polici dhe më pas u zhduk – për gati një dekadë.

Më pas, në vitin 2020, Daily Mail shkruan se Vasilescu u arrestua nga policia që po hetonte mbi tentativën për vrasjen e një gruaje në Paisley, pranë Glasgow, e cila ishte goditur vazhdimisht me thikë.

Por ai u lirua përsëri nga paraburgimi dhe, kur çështja shkoi në gjyq në fillim të këtij viti, ai nuk u paraqit.

Vasilescu, çuditërisht ishte liruar përsëri me kusht – edhe pse ai paraqiste rrezikshmëri për arratisje duke qenë se e kishte bërë më parë.

Javën e kaluar ai do të dënohej për tentativën e vrasjes në vitin 2020. Por dënimi nuk mund të vazhdonte – pasi zyrtarët e gjykatës pranuan se nuk e kishin idenë se ku ishte ai. E ndërkohë, Vasilescu është ende në kërkim nga policia në vendlindjen e tij, Rumani. Kritikët britanikë thanë se rasti nxori në pah dështimin e sistemit të drejtësisë për të mbrojtur publikun.

Zëvendës zëdhënësi konservator skocez i Sigurisë në Komunitet, Russell Findlay, tha: “Është tronditëse që një kriminel shumë i rrezikshëm me një histori kaq të gjatë të arratisjes të lirohet me kusht”.

“Duke pasur parasysh background-in e tij, nuk është befasi që ai tani është zhdukur sërish duke vënë në mënyrë të pashmangshme anëtarët e pafajshëm të publikut në rrezik të dhunës.”

Lista e “më të kërkuarve” të vitit 2011 përfshinte një vrasës serial, vrasës dhe përdhunues që kishin kryer krime jashtë vendit. Lista përfshinte 14 nga të dyshuarit më të rrezikshëm dhe më të vështirë për t’u gjurmuar që po gjurmoheshin në Britani.