Vendosni fjalën kyçe....

Para dy ditësh e quajti “objekt strategjik”, Peleshi për Uzinën e Gramshit: Aty veç llaç e tulla ka, nuk u cënua siguria kombëtare


Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ai i Mbrojtjes Niko Peleshi dolën sot sëbashku në një konferencë shtypi lidhur me ngjarjen e ndodhur në uzinën e armëve në Gramsh.

Ministri Peleshi deklaroi se nuk kemi të bëjmë me cënim të Sigurisë Kombëtare, pasi objekti është i deklasifikuar. Madje theksoi se në uzinën e Gramshit ka veç llaç e tulla. Megjithatë shtoi se kemi të bëjmë me një thyerje të rregullores dhe agresion, i cili duhet hetuar.

“Së pari fakti që objekti është deklasifikuar nuk do të thotë se mund të hyjë kushdo pa marrë leje. Nëse merret leje sipas rregullores personat mund t’i vizitojnë këto objekte.

Në këtë kuptim nuk përbën cënim të Sigurisë Kombëtare por kemi të bëjmë me një thyerje të rregullores. Kemi ushtrim dhune ndaj dy oficerëve në detyrë. Ne kemi më shumë se 1 mijë prona jashtë planit të përhapjes, që janë llaç e tulla në fakt, por që duhen ruajtuar. Në ndryshim nga rasti i çekëve në Poliçan, kemi çdo javë kërkesa për turistë që duan të vizitojnë objektet e vjetra ushtarake.

Por në këtë rast kemi të bëjmë me një agresion. Ngjarja është në hetim, por ne i mendojmë të gjithë skenarët e mundshëm. Disa javë më parë ne u përballëm me një sulm kibernetik dhe të gjitha ngajrjet ne i shohim të lidhura. Këta shtetas nuk kanë marrë leje as herën e kaluar.”- tha Peleshi, i cili vetëm dy ditë më parë e konsideroi Uzinën e Gramshit një “objekt strategjik”.