Vendosni fjalën kyçe....

100-vjetori i marrëdhënieve me SHBA-në, shfaqja me 2 avionët e amerikanë në Tiranë (VIDEO)


Ashtu sikurse njoftoi më herët Ambasada Amerikane, dy avionë B-52 kanë kryer fluturime në lartësi të ulëta mbi Tiranë sot.

Fluturimi u bë pak para orës 15:00 dhe momenti u ndoq nga shumë qytetarë nga sheshi “Skënderbej”, ku e pranishme ishte edhe ambasadorja amerikane në vendin tonë Yuri Kim.

Ky organizim u bë në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në shenjë demonstrimi për bashkëpunimin e shkëlqyer në të gjitha fushat, por sidomos atë të mbrojtjes.

Aeroplanët B-52, të cilët për më shumë se 60 vjet kanë qenë themeli i forcës së bombarduesve strategjikë të Shteteve të Bashkuara, fluturuan përmes qiejve të Europës Juglindore për të ardhur drejt Shqipërisë.

 “Në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ditën e sotme ora 14:45-15:00, dy avionë amerikanë B-52 do të fluturojnë mbi sheshin Skënderbej, në shenjë demonstrimi për bashkëpunimin e shkëlqyer në të gjitha fushat, por sidomos atë të mbrojtjes.
Aeroplanët B-52 do të fluturojnë përmes qiejve miqësorë të Europës Juglindore për të ardhur drejt Shqipërisë, ku mund të shikohen nga kushdo, të apasionuar, amatorë, fëmijë e të rritur.”– njoftonte më herët ambasada.