Vendosni fjalën kyçe....

Votuan në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet presidenciale në SHBA, akuzohen dhjetëra persona në Florida


Njëzet persona në Florida, të cilët ishin skualifikuar nga votimi për shkak të dënimeve për krime, tani po përballen me akuza për mashtrim të votuesve, tha më 18 gusht guvernatori Ron DeSantis.

“Zyra e Krimeve dhe Sigurisë Zgjedhore, në bashkëpunim me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe FDLE [Departamenti i Zbatimit të Ligjit në Florida], ka akuzuar dhe është në proces të arrestimit të 20 individëve në të gjithë shtetin për mashtrim votuesish.” – tha DeSantis gjatë një konferencë shtypi në gjykatën e qarkut Broward në Fort Lauderdale.

“Shumica e këtyre njerëzve votuan në mënyrë të paligjshme në Palm Beach, Broëard dhe Miami Dade, megjithëse ka të tjerë në pjesë të tjera të shtetit.” – tha ai.

“Këta kanë votuar ilegalisht në këtë rast dhe do ketë arsye të tjera për ndjekje të tjera në të ardhmen. Ata janë skualifikuar nga votimi sepse janë dënuar ose për vrasje ose për sulm seksual dhe janë përjashtuar sipas ligjit të Floridas.”

Ai shtoi se Amendamenti 4 i Kushtetutës së shtetit përmend në mënyrë specifike sulmin seksual dhe vrasjen si arsye që pengojnë dikë që të ketë mundësinë të votojë.

“Ata nuk kanë kaluar në asnjë proces. Atyrë nuk iu rikthyen të drejtat e tyre. Megjithatë ata vazhduan dhe votuan gjithsesi. Kjo është kundër ligjit dhe tani ata do të paguajnë çmimin për të. Pra do akuzohen, po akuzohen dhe po arrestohen sot për mashtrim zgjedhor. Ky është një krim i shkallës së tretë në shtetin e Floridës. Ata mund të përballen me një gjobë prej 5000 dollarësh dhe deri në pesë vjet burg për votim të paligjshëm në zgjedhjet tona.” – shtoi Guvernatori republikan.

Arrestimet shënojnë disa nga veprimet e para të ndërmarra nga Zyra e Krimeve Zgjedhore dhe Sigurisë në Florida, një njësi policore e krijuar në Florida këtë vit për të goditur mashtrimin e votuesve dhe krimet e tjera zgjedhore.

“Këta votues nuk u përpoqën thjesht të votonin, ata në fakt votuan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.” – tha gjatë konferencës për shtyp, Ushtruesi i Detyrës së Komisionerit të Departamentit të Zbatimit të Ligjit, Mark Glass.

DeSantis tha gjithashtu se ka ‘hetime në vijim për njerëzit që kanë votuar në dy juridiksione të ndryshme dhe do ketë ndjekje penale’ për këtë. Ai shtoi se mbledhja e votave tani është e paligjshme në Florida dhe do mbikëqyret.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani