Vendosni fjalën kyçe....

Donald Trump nis zyrtarisht fushatën për zgjedhjet presidenciale të 2020-ës


Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka nisur zyrtarisht fushatën e tij për t’u rikandiduar, duke u bërë thirrje amerikanëve ta mbështesin për katër vjet të tjera.

Presidenti republikan konfirmoi rikandidimin e tij para mijëra mbështetësve në një tubim në Florida, ndërsa siç shkruan “BBC” e quajti shtetin ‘shtëpia e dytë’.

Trump bëri njoftimin duke akuzuar Demokratët se po përpiqeshin të ndanin vendin. Sondazhet e parakohshme e tregojnë Trump, mbrapa kandidatëve potencialë demokratë, por Trump e ka treguar edhe më parë se sondazhet e hershme nuk janë një tregues i sigurtë për rezultatin.

Trump u shoqërua nga bashkëshortja e tij, Melania, e cila tha se do ishte shumë e ngazëllyer nëse do ishte Zonja e Parë edhe për 6 vite të tjerë.

Figura të larta nga Shtëpia e Bardhë, duke përfshirë zëvendëspresidentin Mike Pence dhe sekretaren e shtypit në largim Sarah Sanders, folën gjithashtu në tubim.

“Sonte qëndroj para jush për të nisur zyrtarisht fushatën time për një mandat të dytë si president i Shteteve të Bashkuara”, tha Trump para mbështetësve të tij. “Unë ju premtoj se kurrë nuk do t’ju zhgënjej”.

Florida është një shtet kyç i betejës së Trump, ku ai fitoi në 2016-ën me një rezultat të bindshëm. Trump i përshkroi kundërshtarët e tij si një “turmë radikale e majtë”, që sipas tij do të sillnin socializmin në SHBA.

“Një votë për çdo demokrat në vitin 2020 është një votë për rritjen e socializmit radikal dhe shkatërrimin e ëndrrës amerikane,”-i tha ai turmës.

Ai vlerësoi gjithashtu ekonominë, kritikoi hetimin e Mueller për marrëveshjen ndikimin rus në fushatën zgjedhore të 2016, dhe u referua mediave që mbulonin ngjarjen si “lajm i rremë”.

Natyrisht, të gjithë e dinin se do të kandidonte për rizgjedhje.  Ai paraqiti letrat për rikandidimin në janar 2017 dhe po mbante tubime të rregullta fushate në të gjitha shtetet kryesore që nga ajo kohë.

Trump u zotua të vazhdojë luftën kundër emigracionit të paligjshëm.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *