Vendosni fjalën kyçe....

Flet ushtari i lënduar pas incidentit në Gramsh: Për një moment humba shikimin, si e kapëm rusin që na sulmoi me spraj


Një nga ushtarët e sulmuar nga shtetasit rusë të dyshuar për spiunazh në uzinën ushtarake në Gramsh, tha se kishte ndjerë djegie në fytyrë dhe se i kishte ikur shikimi për disa minuta.

“Edhe nga fytyra kishim djegie. Shikimi për momentin na iku. Për momentin po. E kapëm të dy dhe e po mbanim poshtë, derisa njoftuam patrullat.”- tha ai gjatë një bisede me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshin, i cili i vizitoi dy ushtarakët e lënduar në ambientet e spitalit të QSUT-së.

Mbrëmjen e kaluar, dy ushtarakët ishin konfrontuar me një shtetas rus i cili i kishte sulmuar me spraj neuroparalizues pasi kishte tentuar të futej në Uzinën Ushtarake. Rusi ishte i shoqëruar nga dy persona të tjerë të cilët ndodheshin më larg repartit.

Pas ngjarjes u arrestuan dy shtetasit rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin si dhe ukrainasi 25-vjeçar Fjodor Mihajlov.

Ka dyshime se ata janë pjesë e një celule të spiunazhit rus, megjithatë tre të huajt pretendojnë se janë thjesht blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.