Vendosni fjalën kyçe....

PD: Shteti shqiptar bleu tokën për interes të inceneratorit të Tiranës


Partia Demokratike ka nxjerrë fakte të reja lidhur me aferën 430 milionë euro të inceneratorëve. 

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Akil Kraja gjatë një deklarate nga selia blu deklaroi se shteti shqiptar ka dalë garant i inceneratorit të Tiranës.

Sipas tij, shteti ka blerë tokën me paratë e shqiptarëve dhe ia vënë atë në dispozicion projektit fantazmë që do të ndërtohej mbi një truall 100% publik. 

“Landfilli i Sharrës ku do të ndërtohej projekti imagjinar i inceneratorit ka qenë në pronësi të shtetit me mbi 60% të tij. Sipas studimit të fizibilitetit të Ministrisë së Mjedisit, gati 39% e tokës ku parashikohej të shtrihej koncesioni i inceneratorit ishte në pronësi private. 
Çfarë ndodh: shteti shqiptar i del garant kompanisë së Zotos duke shtetëzuar me paratë e qytetarëve, dhe pjesën e truallit që ishte private. Çka do të thotë që i gjithë projekti fantazëm do të ndërtohej mbi një truall 100% publik”, u shpreh Kraja. 

Anëtari i KK të PD i ka drejtuar qeverisë dhe Edi Ramës 5 pyetje të tjera për mega-aferën e shekullit.

Deklarata:

Prej javësh denoncojmë çdo ditë, me fakte dhe prova, vjedhjet miliona euroshe nga inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.

Për nga vlerat e abuzuara, janë në lojë mbi 430 milion euro; për nga individët e përfshirë, Kryetarë Bashkish, Ministra e vetë Kryeministri; për nga skemat e përdorura, kompani guacë brenda dhe jashtë vendit në pronësi njerëzish të vdekur apo në azil; gjithçka në këtë skandal përbën një mega-aferë.

Një mega aferë tejet komplekse dhe që dëshmon se hajdutët në fakt janë vetë qeveritarët. 

Sot do të ndalemi tek Landfilli i Sharrës në Tiranë pasi mega-skandali nuk prek vetëm inceneratorët por të gjithë zinxhirin e menaxhimit të mbetjeve.

Flasim gjithmonë për të njëjtën kompani “Integrated Energy B.V.” e cila nuk paguhet vetëm për të djegur plehrat që nuk digjen askund.

Më konkretisht, Landfilli i Sharrës ku do të ndërtohej projekti imagjinar i inceneratorit ka qenë në pronësi të shtetit me mbi 60% të tij. Sipas studimit të fizibilitetit të Ministrisë së Mjedisit, gati 39% e tokës ku parashikohej të shtrihej koncesioni i inceneratorit ishte në pronësi private. 

Çfarë ndodh: shteti shqiptar i del garant kompanisë së Zotos duke shtetëzuar me paratë e qytetarëve, dhe pjesën e truallit që ishte private.

Çka do të thotë që i gjithë projekti fantazëm do të ndërtohej mbi një truall 100% publik.

Nga ku pesë pyetjet e radhës:

1.Sa është vlera në miliona euro, që shteti shqiptar, ka kompensuar deri më sot në emër të Integrated Energy pronarët privatë të truallit në Sharrë? 

2.Sa është numri i gjyqeve që shteti shqiptar ka më pronarë të truallit që kërkojnë një kompensim më të lartë, dhe sa është parashikimi i detyrimeve totale në fund të këtyre gjyqeve?

3.A mund të jetë ky truall publik, prej 15 hektarësh, objekt sekuestrimi nga bankat kreditore të Klodian Zotos për kreditë e mos-kthyera nga ai, dhe sa shkon humbja në total për shtetin shqiptar?

4.Sa është fitimi në miliona euro, që e njëjta kompani fantazëm ka nxjerrë nga faturimi i depozitimit inerteve të ndërtimit në këtë truall publik?

5.Përse Bashkia Tiranë vijon ta lejojë këtë kompani fantazëm, një nga administratorët e të cilës është objekt hetimi dhe kërkimi ndërkombëtar, të vjelë miliona euro fitime nga përdorimi i një trualli publik si Landfilli i Sharrës ?

Përgjigjja është vetëm një. Sepse këto janë punë plehrash, punë hajdutësh, punë fantazëm për një mega-aferë qindra milionëshe.