Vendosni fjalën kyçe....

Sulmohet xhamia e mbushur me njerëz në Kabul, 21 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur


Një shpërthim i madh ka ndodhur pas një sulmi në një xhami të mbushur me njerëz në kryeqytetin afgan Kabul, duke vrarë 21 persona.

Zëdhënësi i policisë së Kabulit, Khalid Zadran bëri me dije se 33 persona të tjerë u plagosën nga ky sulm.

Shpërthimi i së mërkurës ndodhi gjatë lutjeve të mbrëmjes. Imami i xhamisë Amir Muhammad Kabuli raportohet të jetë në mesin e të vdekurve.

Siç shkruan BBC, është e paqartë se kush qëndron pas sulmit. Ngjarja vjen vetëm një javë pasi militantët e Shtetit Islamik (IS) vranë një klerik pro-Taliban në një shpërthim me bombë, gjithashtu në Kabul.

Dëshmitarët përshkruan se kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm që thyen xhamat e ndërtesave aty pranë.

“Pashë që kaq shumë njerëz u vranë, madje njerëz që u hodhën nga dritaret e xhamisë.”– tha një dëshmitar okular për agjencinë e lajmeve Reuters.

Stefano Sozza, kreu i shoqatës bamirëse mjekësore Emergjenca, e cila drejton spitalin kryesor të qytetit, i tha BBC-së se grupi i tij kishte trajtuar tashmë 35 persona, mes tyre edhe fëmijë.

“Mjekët tanë… operuan pacientët që kishin nevojë për ndihmë kirurgjikale gjatë gjithë natës. Lëndimet ishin kryesisht të lidhura me shpërthimin, kështu që kishte gëzhoja brenda trupave dhe lëndime djegëse në të gjithë trupin e viktimave.”

Sozza tha se besonte se shpërthimi ishte brenda xhamisë. “Me siguri ka qenë dikush që ka hyrë gjatë kohës së namazit, kështu që ka qenë e mbushur me njerëz në atë moment dhe më pas sulmuesi ka aktivizuar mjetin shpërthyes të improvizuar.”

“Kështu që të gjithë personat që ishin afër sulmuesit ishin në thelb të vdekur dhe ata përreth morën disa lëndime.” – tha Sozza sipas BBC.

Agjencia e lajmeve AP citoi zëdhënësin e talebanëve Zabihullah Mujahid të ketë thënë se “autorët e krimeve të tilla së shpejti do të sillen para drejtësisë dhe do të ndëshkohen”.

Por në një seri postimesh në Twitter, misioni i OKB-së në Afganistan (Unama) u kërkoi talebanëve të ndërmarrin “hapa konkretë” për të parandaluar terrorizmin dhe për të ofruar mbështetje shtesë për komunitetet e cenueshme.