Vendosni fjalën kyçe....

Tentoi të kalonte me makinën e dyshuar të vjedhur të Ministrisë së Infrastrukturës në Kosovë, arrestohet 43-vjeçari në Morinë


Policia kufitare në Morinë ka arrestuar një shtetas të Kosovës me iniciale B. S., banues në Obiliq pasi tentoi të kalonte kufirin me automjet të vjedhur.

Automjeti tip “Audi A3” me drejtues 43-vjeçarin u kalua në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm gjatë kontrolleve me përzgjedhje në kufi.

Gjatë verifikimit ka rezultuar se automjeti që drejtonte 43-vjeçari, ishte i vjedhur në Kosovë dhe ishte në pronësi të një institucioni shtetëror.

43-vjeçari u vu në pranga  për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Ndërkohë mediat në Kosovë raportojnë se automjeti i përkiste Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit.

“Rasti është duke u trajtuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Kurse, në Stacionin Policor ‘Qendra Prishtinë në ora 08:50 nga B.C., si ankues, është iniciuar rasti ‘Vjedhje’. Vlen të ceket se vetura kishte qenë e parkuar në parkingun e MMPHI-së në Prishtinë”, komunikoi Policia e Kosovës për Express.