Vendosni fjalën kyçe....

Kompania amerikane: Pas sulmit kibernetik në Shqipëri, me gjasë aktorë iranianë


Sulmi kibernetik që iu bë platformave online të qeverisë në mes të muajit korrik, ka të ngjarë të jetë vepër e hakerëve pro-iranianë që synonin të prishnin konferencën e një grupi opozitar iranian në Shqipëri.

Kështu beson ‘Mandiant’, një prej kompanive kryesore amerikane që trajtojnë çështje të sigurisë kibernetike.

Siç citon Zëri i Amerikës, kjo kompani shpreh një ‘besim të matur’ në një raport të saj “se sulmuesit kishin vepruar në mbështetje të përpjekjeve të Teheranit kundër disidentëve, bazuar në disa faktorë: koha, përmbajtja e publikuar në një kanal të medias sociale që përdoret për të marrë përgjegjësinë mbi sulme të kësaj natyre dhe ngjashmëritë me kodin e programit me virus, i cili është përdorur prej kohësh për të goditur folës në gjuhën farsi dhe arabisht.”

Konferenca e 23 dhe 24 korrikut nga grupi opozitar iranian Muxhahedeen-e-Khalq u anulua pas paralajmërimeve nga autoritetet lokale për një kërcënim të mundshëm terrorist. Rreth 3 mijë disidentë iranianë të këtij grupi, që njihen kryesisht si MEK-ët, jetojnë në kampin Ashraf 3 në Manzë.

Përgjegjësia për sulmin kibernetik u mor nga “HomeLand Justice” në një kanal të aplikacionit Telegram, ku u postuan dokumente që supozohej se ishin leje qëndrimi në Shqipëri të anëtarëve të MEK-ut, së bashku me pamje filmike që tregonin tek aktivizohej programi me virus. Kanali pretendonte për korrupsion në qeverinë shqiptare dhe përdorte hashtagë përfshirë #Manzë.

“Kjo ngjarje përbën një kërcënim aktiv për organizatat publike dhe private në vendet e tjera anëtare të NATO-s”, tha kompania amerikane. “Ndërsa negociatat rreth marrëveshjes bërthamore të Iranit kanë ngecur, ajo tregon se Irani mund të jetë më pak i përmbajtur në kryerjen e sulmeve kibernetik në vazhdim”.