Vendosni fjalën kyçe....

Bledi Çuçi thyen heshtjen: Akuzat e Berishës të neveritshme, po keqpërdor ngjarjen e Himarës, unë kam folur me veprime konkrete


Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar pas akuzave të kryetarit të PD-së Sali Berisha, në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur para tri ditësh në Potam të Himarës ku humbi jetën një vajzë 7-vjeçare. 

Çuçi i cilësoi të neveritshme akuzat për një kompani mjetesh lundruese në pronësi të tij.

“Ka një përpjekje për të prodhuar fakte që të ilustrojnë akuzat e gatshme të Sali Berishës ndaj meje pas tragjedisë së fundit në Himarë. Për respekt të opinionit publik, që me të drejtë është i ngarkuar nga tragjedia e vajzës 7-vjeçare dhe dhimbja e familjes së saj, dua të sqaroj se sajesat me emrin tim dhe një shoqatë velierash sportive që kam krijuar me miq pasionantë të tyre, nuk kanë lidhje me asnjë biznes dhe aq më tepër me skafe apo gomone. I hedh poshtë me neveri këto sajesa, pasi duan të keqpërdorin në mënyrë të neveritshme këtë ngjarje tragjike, për ta mbajtur gjallë për hallet e tyre politike.”- shkruan Çuçi.

Ky reagim i ministrit vjen pas publikimit të djeshëm në disa medie, të ekstraktit të QKB-së ku ai figuron pronar i subjektit ‘Albanian Sailing Club’.

Këtij ekstrakti më pas iu referua edhe Berisha, duke thënë se ministri Çuçi ka krijuar një shoqatë velierash me shokët e tij. 

Në lidhje me ngjarjen e Himarës për të cilën nuk kishte komentuar ende publikisht,  ministri tha se është përpjekur të flasë me veprime konkrete dhe kujton zinxhirin e drejtuesve të Policisë që u shkarkuan nga detyra menjëherë pas ngjarjes.

“Gjatë këtyre ditëve të rënda për çdo shqiptar, por veçanërisht për familjen e vajzës dhe për ne që jemi përgjegjës për sigurinë e jetës së tyre, jam përpjekur të flas me veprime konkrete kundër fajtorëve të asaj tragjedie, të cilët tani janë para drejtësisë, përfshirë gjithashtu dhe të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Kufitare Vlorë.

Mendoj se kjo është rruga e duhur për të respektuar dhimbjen e familjes së vajzës dhe të afërmve të saj. Rruga për t’u përballur me baltën e Sali Berishës është 30- vjeçare dhe nuk më sfidon. Thjesht e kemi detyrim ndaj shqiptarëve të ndajmë fatin e Shqipërisë nga fati dhe balta e tij.”– shkruan Çuçi.