Vendosni fjalën kyçe....

Deputetja gjermane ‘kryqëzon’ kancelarin Scholz: Përgjegjës për dërgimin e ngadaltë të armëve drejt Ukrainës


Zyra e kancelarit gjerman Olaf Scholz është fajtore për ritmin e ngadaltë të dërgesave të armëve në Ukrainë, tha shefja e komitetit të mbrojtjes të Bundestagut, Marie-Agnes Strack-Zimmermann.

“Pika më e ngushtë që ngadalëson angazhimin ushtarak të Gjermanisë është, për çfarëdo arsye, kancelaria.” – tha deputetja e Partisë Demokratike të Lirë (FDP) në një intervistë të shtunën.

Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës do vazhdojë, beson Strack-Zimmermann dhe kështu politikanët gjermanë ‘nuk duhet të qetësohen’, por duhet të fokusohen më tepër në përshpejtimin e dërgimit të ndihmës ushtarake në Ukrainë. Berlini duhet të rregullojë dërgesat e ngecura të armëve deri në shtator-tetor, paralajmëroi deputetja.

Parlamenti, i cili dominohet nga i ashtuquajturi koalicioni ‘semafor’ i Partisë Social Demokrate të Gjermanisë (SPD), FDP dhe Aleanca 90/Të Gjelbërit, është gati të marrë përgjegjësinë për të ndihmuar Kievin, pohoi ajo.

Ndërsa Berlini kishte dërguar më parë mijëra sisteme portative raketore antitank dhe antiajror, municione, helmeta dhe pajisje të tjera në Ukrainë, ai ka mbetur shumë prapa furnizuesve kryesorë të Kievit të pajisjeve të rënda ushtarake. Deri më tani, Gjermania ka dërguar shtatë topa vetëlëvizës Panzerhaubitze (PzH) 2000 dhe ka premtuar tre të tjerë, dhe Mars II, një modifikim evropian i raketës së shumëfishtë raketore MLRS M270 të prodhuar nga SHBA.

Ai ka premtuar gjithashtu rreth 30 mjete kundërajrore Gepard, të parat prej të cilave u dorëzuan këtë javë. Megjithatë, në fillim të këtij muaji, ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht tha se rezervat ushtarake të vendit kishin kapacitet të kufizuar për dërgimin e armëve në Ukrainë.

Pavarësisht mbështetjes së demonstruar nga Gjermania, Kievi dhe në veçanti ish-ambasadori ukrainas Andrey Melnik, kanë kritikuar vazhdimisht Berlinin për atë që ata e kanë quajtur ngurrim për të dërguar ndihmë ushtarake në Ukrainë dhe ritmin e përgjithshëm të ngadaltë të dërgesave.