Vendosni fjalën kyçe....

Rusia ndalon furnizimin me gaz për shtetin baltik


Gjiganti rus i gazit Gazprom tha të shtunën se ka ndaluar furnizimet drejt Letonisë për shkak të ‘shkeljeve të kushteve të marrëveshjes’.

Këtë javë, Aigars Kalvitis, kryetar i kompanisë së gazit ‘Latvijas Gaze’, u tha mediave se vendi i tij vazhdoi të blinte gaz natyror rus edhe pasi kundërshtoi të përmbushte kërkesën e Moskës për pagesë për rubla.

“Latvijas Gaze po blen gaz tani, por ne nuk blejmë gaz nga Gazprom sepse nuk mund ta paguajmë Gazpromin. Kemi një furnizues tjetër.” – tha ai. Kalvitis shtoi se ‘Latvijas Gaze’ po paguante gazin në euro.

Në fillim të këtij muaji, parlamenti letonez vendosi një ndalim për importet e gazit natyror rus duke filluar nga 1 janari 2023.

Lajmi vjen në një kohë kur BE-ja po kërkon mënyra për të hequr gazin rus në përgjigje të operacionit ushtarak të Moskës në Ukrainë, i cili filloi në fund të shkurtit.

Rusia ka këmbëngulur që vendet evropiane të kalojnë në pagesën e gazit në rubla, pasi BE-ja ngriu asetet ruse jashtë vendit, si pjesë e sanksioneve gjithëpërfshirëse ndaj Moskës.

Më 21 korrik, Gazprom rifilloi dërgesat në Gjermani përmes gazsjellësit Nord Stream 1 të Detit Baltik, pas një pezullimi dhjetëditor për shkak të mirëmbajtjes. Turbina e riparuar e Siemens e nevojshme për funksionimin e tubacionit ishte mbajtur në Kanada derisa Otava lejoi që ajo të kthehej në Gjermani.

Të mërkurën, megjithatë, operatori Nord Stream 1, ‘Gascade’ raportoi se rrjedha e gazit përmes tubacionit ishte pakësuar në një të pestën e kapacitetit të tij maksimal. Një ditë më parë, Gazprom paralajmëroi se do ndalonte funksionimin e një turbine të dytë Siemens, pasi pajisja e pompimit duhej të riparohej.