Vendosni fjalën kyçe....

“News 24” zbulon letrën ku anti-kontrabanda informon Gazhelin: Qindra-mijëra euro hyjnë në vend, pazaret bëhen në tavolinat e Bllokut


Të tjera detaje janë publikuar në media në lidhje me korrupsionin në dogana, duke rënduar akuzat ndaj drejtorit të Përgjithshëm Genti Gazheli.

News 24” ka zbuluar përmbajtjen e një letre informative zyrtare që Gazhelit i është dërguar nga drejtori i anti kontrabandës detare.

Në letrën që mban datën 12 mars 2021, Gazheli informohet se si bëhet kontrabanda në Shqipëri në pikat kryesore kufitare, ku grupet e kontrollit të anti kontrabandës marrin 15 mijë deri në 20 mijë euro në javë.

Drejtori i anti-kontrabandës i tregon Gazhelit sesi merren zarfet me lekë.

“Jo më kot ju z.Drejtor dërguat në pikat kyçe persona me njohuri dhe vjetërsi zero në sistemin doganor në pozicionet ku duhet të ishin specialistët e vërtetë, ku për hir të së vërtetës ata nuk mungojnë në sistemin doganor. Tani vjen edhe pjesa më e bukur ajo e modus operandit ose mënyra se si merren lekët: nga zarfet e grupeve të antikontrabandës deri te pazaret e kontejnerëve të cilat mbyllen nëpër tavolinat e bllokut. Nga macetat e kryetarëve të doganave deri te përgjegjësit e turneve të proceduar penalisht për favorizim kontrabande në më shumë se një rast.”-thuhet në letër.

Shpëtim nga ryshfeti sipas drejtorit të anti kontrabandës detare nuk kanë as furgonët me mallra nga Anglia që sjellin paratë e emigrantëve.

“Furgonëve të anglezëve të cilët tashmë janë vënë në shërbim total të kontrabandës iu kapen përditë me qindra mijëra euro Cash në portet e fqinjëve tanë. Dy janë doganat të cilat këta individë janë instruktuar të kalojnë, vetëm nga Vlora dhe Durrësit, arsyet dihen. Ju informoj se kur mbaja postin e Drejtorit të Antikontrabandës, këta individë paguanin doganë dhe kontrolloheshin rreptësisht nga grupet e Anti Kondrabandës, gjë që sot nuk ekziston, përkundrazi iu është dhënë ‘OK të bëjnë ç’të duan me kusht të sjellin paundët e ryshfetit’.”– vijon letra.

Drejtori i kontrabandës detare, thotë se është i gatshëm të ballafaqohet në gjykatë për vërtetësinë e informacionit.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e News 24 dhe Balkanweb