Vendosni fjalën kyçe....

I shpallur në kërkim nga Abu Dhabi, arrestohet në Rinas shtetasi sirian


Një shtetas sirian i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Rinas. Në pranga ka përfunduar dhe një shtetase siriane, e cila tentoi të dilte nga Shqipëria, me dokumente të falsifikuara.

Gjatë kontrollit të detajuar të dokumentacionit të shtetasve që hyjnë nga Shqipëria, nëpërmjet aeroportit të Rinasit, shërbimet e Policisë në bashkëpunim me Interpol Tiranën kanë ndaluar shtetasin sirian Ë. A., 42 vjeç.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Abu Dhabi, për veprën penale “Mashtrime financiare”, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”

U bë arrestimi provizor i 42-vjeçarit, me qëllim ekstradimin e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të dokumentacionit të shtetasve që dalin nga Shqipëria, nëpërmjet aeroportit të Rinasit, shërbimet e Policisë kanë krijuar dyshime për një shtetase të huaj që kishte paraqitur pasaportë estoneze.

Pas kontrollit në laboratorin e Policisë Kufitare ka rezultuar se pasaporta që kishte paraqitur shtetasja H. C. kishte të dhënat e një shtetaseje tjetër dhe kishte një vulë të kontrollit kufitar, të dyshuar të falsifikuar.

Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetases H. C., me shtetësi siriane, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.