Vendosni fjalën kyçe....

Ishin në ndjekje të bosit të drogës, rrëzohet avioni ushtarak në Meksikë, 14 të vdekur


Katërmbëdhjetë persona kanë humbur jetën pasi një avion ushtarak u rrëzua të premten në veriperëndim të Meksikës.

Lajmi u konfirmua nga Sekretariati i Marinës i Meksikës i cili saktësoi se avioni “bartte 15 persona, nga të cilët fatkeqësisht 14 humbën jetën dhe një po merr ndihmë mjekësore”.

“Një avion i marinës meksikane pati një aksident në Los Mochis, Sinaloa. Bazuar në informacionin e disponueshëm në atë kohë, një helikopter Black Hawk pësoi një aksident, shkaqet e të cilit nuk dihen për momentin.”- thuhet në njoftim, citon El Periodico.

Avioni ushtarak ishte pjesë e një operacioni për kapjen e kapos së drogës Rafael Caro Quintero, i arratisuri më i kërkuar nga Agjencia Amerikane e Zbatimit të Drogës (DEA). Ai u arrestua këtë të premte në komunën e San Simón në Sinaloa, dhe një qen mori pjesë në zbulimin e tij.

Në një deklaratë, agjencia tregoi se Caro Quintero, 69 vjeç, ishte fshehur në shkurre dhe një qen i trajnuar për kërkim dhe shpëtim, ndihmoi në gjetjen e tij.

Quintero kërkohej për rrëmbimin dhe vrasjen e agjentit të DEA-s Enrique Camarena në vitin 1985 dhe për krime të tjera që lidhen me trafikun e drogës dhe krimin e organizuar.

Themeluesi i Kartelit të Guadalajara, Caro Quintero ishte një nga kapot kryesorë në vitet 1980 dhe një nga të parët që dërgoi drogë në një shkallë të gjerë në Shtetet e Bashkuara. I lindur më 3 tetor 1952 në shtetin meksikan të Sinaloa-s, djepi i kapove të mëdhenj meksikanë, Caro Quintero, i cili grumbulloi një pasuri të madhe, themeloi kartelin e tij së bashku me Miguel Ángel Félix Gallardo dhe Ernesto Fonseca Carrillo, alias ‘Don Neto’.