Vendosni fjalën kyçe....

“Reforma në drejtësi ka rënë. Vendimet e firmosura nga anëtari i shkarkuar i KPA-së janë nul” – Ish-prokurori Trenova


Ish-prokurori Gentian Trenova deklaroi ditën e sotme se reforma në drejtësi ka rënë.

Deklarata e tij vjen teksa pak ditë më parë, një anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, u pezullua nga detyra për deklarimin e të dhënave të rreme në aplikim.

Ai tha se të gjitha vendimet e marra në mbledhjet ku ai ka qenë anëtar duhet të bëhen nul e gjyqtarët të rikthehen në detyrë.

Ai ishte i ftuar në edicionin e pasdites në Syri TV, ku shtoi se Gjykata e Strasburgut mund ta rrëzojë reformën në drejtësi.

“Reforma në Drejtësi ka rënë plotësisht, për më shumë edhe pas shkarkimit nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelit i gjyqtarit Luan Daci. Pas këtij shkarkimi të gjitha vendimet e  KPA-së duhet të jenë nul dhe të gjithë gjyqtarët që janë shkarkuar duhet të kthehen në punë dhe të dëmshpërblehen. Mund të ketë edhe një vendim të Gjykatës së Strasburgut. Pritshmëria është që Gjykata e Strasburgut ta rrëzojë me 99 përqind Reformën në Drejtësi. Dyshohet se ka një marrëveshje për t’i vonuar çështjet. Gjykata e Strasburgut do të japë një vendim të vonë për t’u dhënë kohë institucioneve për të bërë çfarë kanë të bërë. Gjithë reforma është në kundërshtim me të gjitha Konventat për të Drejtat e Njeriut.”

Ai deklaroi se pasojat e pezullimit të anëtarit të KPA-së do jenë ligjore, morale dhe etike duke shtuar se ka edhe anëtarë të tjerë në institucionet e drejtësisë që kanë shkelur ligjin.

“Pasojat do të jenë ligjore, morale dhe etike. Pasojë e ligjore është që vendimet që ka marrë si gjyqtar Luan Daci në mbledhjet ku ka marrë pjesë duhet të konsiderohen të pavlefshme. Moralisht, reforma ka rënë që në momentin që një gjyqtar i shkarkuar nga detyra nuk mund të emërohej në një një institucion të tillë. Pasojë tjetër, është që Luan Daci nuk është i vetmi. Por ka edhe të tjerë si ai në shkelje me ligji.” – shtoi ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *