Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Vendimi i guximshëm dhe historik i Maqedonisë së Veriut zhbllokoi hapjen e negociatave për të dy vendet tona


Pas kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta, lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut ku Kuvendi atje miratoi propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, ka reaguar edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Kryedemokrati përshëndet vendimin e guximshëm dhe historik që sipas tij mori sot shteti fqinj, me të cilin zhbllokoi hapjen e negociatave me BE për të dy vendet tona.

“Lidhur me votimin e propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut!

Të dashur miq, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin e Francës që i hap rrugën çeljes se negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.

Me këtë rast Partia Demokratike e Shqipërisë përgëzon Parlamentin e vendit fqinj, dhe përshëndet vendimin e guximshëm dhe historik që mori sot, me të cilin zhbllokoi hapjen e negociatave me BE për të dy vendet tona.”– shkruan Berisha.

Ish-kryeministri thotë se kur të jetë në pushtet do të mbështesë e miratojë çdo ligj, akt e vendim për plotësimin, e kërkesave të negociatave me BE, të cilat i konsideron të papërmbushura nga Shqipëria.

“Hapjen e negociatave për Shqipërinë me BE, të bllokuara prej 6 vitesh, dhe pasi ato u shtynë 5 herë, për shkak të mosplotësimit të kushteve nga qeveria Rama, dhe vitin e fundit për shkak të bllokimit nga Bullgaria të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjen e kundërshtive midis këtyre vendeve, Partia Demokratike e konsideron si një zhvillim të lidhur kryesisht me dëshirën fisnike të BE dhe vendeve anëtare për të garantuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht se, siç sanksionon rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria ka probleme të mëdha me standardet, kushtet dhe kriteret e BE.

Me këtë rast PD garanton shqiptarët dhe BE, Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE, se do mbështesë, dhe, nesër në pushtet, do të marrë e miratojë çdo ligj, akt e vendim për plotësimin, kapitull për kapitull, e kërkesave të negociatave me BE, dhe për të bërë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si të ardhmen më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët.”– shkruan Berisha.