Vendosni fjalën kyçe....

I dërguari special i Zelenskyt në Shqipëri, takohet me Ballën dhe Spiropalin


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, priti sot në një takim në Kuvendin e Shqipërisë të Dërguarin Special të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Anëtarin e Delegacionit të Bisedimeve të Paqes, deputetin Rustem Umerov.

Balla shprehet se ndihet i nderuar që pret deputetin Umerov dhe thekson se Shqipëria dënon ashpër agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia.

“Shumë i nderuar të mirëpres në Kuvendin e Shqipërisë të Dërguarin Special të Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, Anëtarin e Delegacionit të Bisedimeve të Paqes, deputetin Rustem Umerov.

Shqipëria dënon ashpër agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia. Ne qëndrojmë në krah të popullit ukrainas dhe e konsiderojmë këtë agresion si një sulm kundër lirisë dhe demokracisë. Krimet e rënda kundër njerëzimit dhe aktet gjenocidale si ato në Bucha nuk do të mbeten në asnjë rast pa u hetuar dhe pa u ndëshkuar urdhëruesit dhe autorët.

Aleanca jonë – NATO do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën me asistencë në siguri për të luftuar agresionin rus dhe për të mbështetur të drejtën e tyre për vetëmbrojtje.”– shprehet Balla.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, gjithashtu ka zhvilluar një takim me zyrtarin ukrainas.

Spiropali ka publikuar një foto nga ky takim dhe shprehet se bashkë kanë diskutuar mbi situatën në Ukrainë dhe qëndresën e këtij populli.

“I veçantë takimi me z. Rustem Umerov, i dërguari special i Presidentit Zelensky, njëkohësisht nënkryetar i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe anëtar i delegacionit të bisedimeve për paqe.

Biseda kishte në fokus situatën në Ukrainë dhe qëndresën e një populli që po lufton edhe për Ballkanin, edhe për të ardhmen e Europës.

Shqipëria e tregoi që në krye të herës mbështetjen ndaj popullit ukrainas, duke u bërë bashkëpenëmbajtëse e kësaj çështjeje bashkë me Shtetet e Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe duke iu bashkuar sanksioneve ekonomike të BE-së ndaj Federatës Ruse.

Miratimi në Kuvend i Rezolutës që dënon me forcë agresionin rus në Ukrainë sikurse ndihmesa ushtarake & humanitare, ishin dëshmi konkrete e atyre vlerave perëndimore që vendi ynë i ngriti në lartësinë e misionit, sinkron me vendet aleate.”– shkruan Spiropali.