Vendosni fjalën kyçe....

BE do synojë arin rus në paketën e shtatë të sanksioneve


Bashkimi Evropian do ndalojë arin rus si pjesë e paketës së tij të shtatë të sanksioneve dhe do kërkojë të ‘mbyllë rrugët e daljes’ për ata që anashkalojnë kufizimet e mëparshme, tha të premten komisioneri i BE Maros Sefcovic, sipas Associated Press.

BE-ja do shqyrtojë ‘mënyrat se si mund të vendosim një regjim sanksioni për arin, i cili është një mall i rëndësishëm për eksportet nga Rusia’ tha Sefcovic.

“Sapo të arrijmë një marrëveshje në nivel të vendeve anëtare, ne do ta publikojmë atë.” – tha ai përpara një takimi jozyrtar të ministrave të BE-së.

Masa vjen pas ndalimit të arit rus të rënë dakord nga ekonomitë kryesore perëndimore në një takim të G7 në fund të qershorit.

Më herët të premten, burime të cituara nga Reuters pohuan se Brukseli gjithashtu do shtrëngonte disa kufizime të mëparshme, duke përfshirë vendosjen e kufizimeve të reja në importin e mallrave që mund të përdoren për qëllime ushtarake, si kimikatet dhe makineritë.

Individë dhe entitete të reja që konsiderohen të afërta me Kremlinin thuhet se do shtohen në listën e zezë të BE-së që do të detyrojë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit.

KE do të ndryshojë gjithashtu masat e mëparshme ndëshkuese për t’u siguruar që ato të mos godasin eksportet e ushqimit dhe drithërave të Rusisë, i thanë Reuters disa zyrtarë.

Disa nga ndryshimet e propozuara synojnë gjithashtu të sigurojnë që kufizimet ekzistuese, siç është ndalimi i hyrjes së anijeve ruse në portet e BE-së, të mos keqinterpretohen nga subjektet që kryejnë tregti, tha një nga burimet.