Vendosni fjalën kyçe....

Humbjet e energjisë, OSSH: Në 6-mujorin 2022 u ulën në 21.26%


Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka bërë bilancin e treguesve të tij sa i takon energjisë duke nënvizuar se në gjysmën e parë të këtij viti ka një rënie me 1 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ermal Murati, Drejtor i Matjes dhe Bilancit në OSSh nënvizon se tendenca e uljes së humbjeve në rrjet vihet re si në raportet krahasuese mujore ashtu edhe ato 3-mujore apo 6 mujore.

Kështu sipas tij në qershor humbjet në rrjetin e shpërndarjes ishin 17.3 për qind duke shënuar një ulje prej 1 për qind në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë. I marrë si një tremujor më vete gjatë periudhës prill-qershor OSSH raporton se niveli i humbjeve ishte 1.66 për qind më poshtë sesa tremujori i dytë i vitit paraardhës.

Lidhur me periudhën janar-qershor shifrat tregojnë se humbjet kanë qëndruar në nivelin 21.26 për qind ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë ato ishin 22.3 për qind.

Ulja e nivelit të humbjeve në rrjet edhe pse mbetet në nivele modeste përbën ndoshta të vetmin ndikim minimal pozitiv në kushtet e krizës ku çmimet e energjisë kanë arritur nivele shumë të larta.

Vetë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka pohuar më herët se ulja e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes të paktën për ato teknike mund të arrihet vetëm përmes investimeve. Këto të fundit vitin 2021 u pezulluan për shkak të situatës së krizës dhe ndërkohë edhe gjatë vitit 2022 kompanitë e sektorit janë ngarkuar me barrën e madhe financiare të përballimit të faturës së importit.

Nevojat për investime sipas OSSH janë të nevojshme pasi mosha mesatare e rrjetit është 40 vjeçare dhe shkalla e amortizimit prej 70 për qind duke sjellë kështu jo në pak raste probleme teknike dhe ndikim negativ tek humbjet.

Kompania në planin e saj të investimeve parashikonte që këtë vit të investonte në rrjet pak më shumë se 86 milionë euro në projekte të ndryshme të rrjetit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor