Vendosni fjalën kyçe....

Vendi aziatik vendos shtetrrethim mes krizës së thellë që ka prekur vendin


Qeveria e Sri Lankës vendosi shtetrrethimin të shtunën edhe pse qindra personalitete i kërkuan presidentit Gotabaya Rajapaksa të revokojë gjendjen e jashtëzakonshme për të siguruar që liria e fjalës dhe tubimi paqësor të respektohen nën krizën ekonomike të vendit.

“Sipas kompetencave të dhëna presidentit, shtetrrethimi është vendosur në mbarë vendin nga ora 18:00 e mbrëmjes të shtunën deri në orën 6 të mëngjesit të hënën”, tha në një deklaratë departamenti i informacionit i qeverisë.

Rajapaksa të premten tha se do përdorte ligje të rrepta për të trajtuar trazirat në rritje në krizën e paprecedentë që ka prekur vendin. Në të kaluarën, një urdhër për gjendjen e jashtëzakonshme i lejonte ushtrisë të arrestonte dhe të ndalonte të dyshuarit pa urdhër.

Kombi ishullor i Oqeanit Indian me 22 milionë banorë po përballet me ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike deri në 13 orë në ditë, ndërsa qeveria përpiqet të sigurojë valutë për të paguar importet e karburantit. Rajapaksa tha se gjendja e jashtëzakonshme ishte e nevojshme për të mbrojtur rendin publik dhe për të ruajtur furnizimet dhe shërbimet thelbësore.