Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet një rast me kolerë në Universitetin e Wuhan-it në Kinë


Një rast i kolerës u konfirmua të hënën në qytetin kinez të Wuhan-it, vendi ku u zbulua fillimisht përhapja e Covid-19.

Sipas një njoftimi nga departamenti i shëndetësisë në Wuhan, Universiteti raportoi një rast “të vjellash dhe diarreje, të shoqëruara me temperaturë të ulët” të shtunën në mbrëmje. Testet serologjike, të kryera nga qendrat provinciale dhe komunale të kontrollit të sëmundjeve, konfirmuan kolerën.

“Pas diagnozës dhe trajtimit efektiv, gjendja e pacientit është kontrolluar dhe simptomat janë zhdukur.” tha departamenti sipas RT-së.

Ai theksoi se ishin marrë menjëherë të gjitha masat për të parandaluar një shpërthim të sëmundjes, duke përfshirë gjurmimin e kontaktit, mbledhjen e mostrave dhe mbylljen e disa vendeve për dezinfektim.

“Asnjë rast i ri nuk është gjetur deri më tani.”– tha autoriteti shëndetësor.

Universiteti u udhëzua që të jetë vigjilent kur bëhet fjalë për ndonjë sëmundje infektive këtë verë dhe iu kërkoi të përmirësojë standardet e higjienës së kampusit.

“Publikut të gjerë i kërkohet që t’i kushtojë vëmendje higjienës personale, të bëjë një punë të mirë në monitorimin e vetë-shëndetit dhe të mos besojë apo përhapë thashetheme.”- tha departamenti i shëndetësisë.

Kolera është klasifikuar si një sëmundje infektive e klasës A në Kinë, krahas murtajës bubonike. Rasti i zbuluar në Universitetin e Wuhanit është infeksioni i dytë i konfirmuar për këtë vit, pasi një i tillë u gjet në mars. Pesë pacientë rezultuan pozitivë për kolera në vitin 2021 pa asnjë vdekje të raportuar.

Lajmi për infeksionin erdhi pasi Covid ka shënuar përsëri rritje në Kinë.