Vendosni fjalën kyçe....

“Mbi 500 kompani kryen evazion fiskal” – Kryemadhi pas deklaratës së ministres: Ia la topin drejtësisë për të justifikuar hajdutërinë qeveritare


Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratave të ministres së Financave në Kuvend, e cila tha se janë rreth 500 kompani që i janë referuar prokurorisë për evazion fiskal.

Në një postim në “Facebook”, Kryemadhi shprehet se qeveria ia la topin drejtësisë për të justifikuar hajdutërinë qeveritare me koncesionet dhe veprimet fiskale.

“Znj. ministre e financave deklaroi sot në Kuvend që janë 500 firma private të hetuara dhe referuara në prokurori për evazion fiskal, e që është detyrë e prokurorisë hetimi i tyre dhe detyrë e gjykatës dënimi i tyre.

Pra, qeveria ia la topin drejtësisë për të justifikuar hajdutërinë qeveritare me koncesionet dhe veprimet fiskale.”– shkruan ajo.

Kryetarja e LSI-së shprehet e bindur se Administrata Tatimore në vitin 2018 mesiguri e ka hasur dhe evazionin fiskal në të shoqërisë koncesionare të inceneratorit të Fierit. Dhe pyet nëse është referuar dhe kjo në Prokurori.

Pyetja që shtron Kryemadhi është se pse kanë vijuar pagesat gjatë gjithë kësaj kohe, kur kompanitë janë referuar për evazion fiskal.

REAGIMI I PLOTË I KRYEMADHIT

Në vitin 2018, financat shqiptare kanë referuar në prokurori disa kompani fiktive që kanë kryer evazion fiskal me vlera miliona dollarë.

Znj. ministre e financave deklaroi sot në Kuvend që janë 500 firma private të hetuara dhe referuara në prokurori për evazion fiskal, e që është detyrë e prokurorisë hetimi i tyre dhe detyrë e gjykatës dënimi i tyre.

Pra, qeveria ia la topin drejtësisë për të justifikuar hajdutërinë qeveritare me koncesionet dhe veprimet fiskale.

Rezulton se në vitin 2017 disa nga këto kompani fiktive, të cilat i shikoni në foto dhe që janë pjesë e atyre të dërguara në prokurori, kanë lëshuar fatura “punimesh” tek Integrated Technology Waste Treatment Fier. Pra, i kanë lëshuar fatura fiktive koncesionarit të inceneratorit Fier.

Me siguri që Administrata Tatimore në vitin 2018 e ka hasur dhe evazionin galopant fiskal në vlerën 2.6 mln dollarë të shoqërisë koncesionare të inceneratorit të Fierit. A është hetuar kjo kompani koncesionare nga Administrata Tatimore? Nëse po, a është referuar në prokurori? Nëse jo, pse? Nëse po, pse kanë vazhduar pagesat nga buxheti i shtetit deri në vitin 2020, për një kompani koncesionare që ka bërë evazion fiskal???

Parimi “ca të nënës, e ca të njerkës” nuk mund të funksionojë në një shtet të së drejtës. Ndaj transparenca totale, për çdo koncesion dhe fond publik, është rruga e vetme e duhur për të mbrojtur interesin kombëtar. Koha e drejtësisë që t’i trajtojë njësoj përpara ligjit, si qytetarët dhe pushtetarët.