Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet në Holandë sinjal se e djathta ekstreme po ngrihet dhe po riformëson Evropën – WP


Kur Austria dy dekada më parë u bë kombi i parë në Evropën Perëndimore që u anua drejt së djathtës ekstreme që nga Lufta e Dytë Botërore, pjesa tjetër e kontinentit gjëmonte në zemërim. Protestuesit i përndoqën politikanët e saj.

Diplomatët i shmangën. Një delegat belg anuloi një drekë me ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes të Austrisë, duke u thënë gazetarëve: “Unë nuk ha me fashistët”.

Tashmë në vitin 2023, çasti historik politik i ka dhënë të djathtës ekstreme një vend në tryezën e Evropës dhe një mundësi për të riformuar politikën dhe politikat e rajonit.

Fitorja e fundit erdhi në Holandën socialisht liberale, ku ikona e së djathtës së djathtë ekstreme Geert Wilders dhe partia e tij anti-BE, anti-myslimane dhe anti-emigracion arriti një ftore tronditëse avën e kaluar në zgjedhjet parlamentare.

Wilders pritet të luftojë, dhe në fund mund të dështojë, për të formuar një qeveri – partia e tij nuk arriti të ketë shumicën e nevojshme dhe përballet me javë apo muaj negociatash të ndërlikuara.

Por shfaqja e papritur e fortë e tij, i cili ishte zotuar prej kohësh të ndalojë Kuranin dhe të ndalojë pranimin e azilkërkuesve, përbënte një paralajmërim të fuqishëm për Evropën. Dhe ajo u mirëprit siç duhet nga zërat kryesorë të rajonit të së djathtës ekstreme, duke përfshirë kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe udhëheqësen e opozitës franceze Marine Le Pen.

“Kudo në Evropë ne shohim të njëjtën erë të krahut të djathtë që fryn,” tha Tom Van Grieken, një populist belg i djathtë, në përgjigje të fitores së Wilders.

“Përparimi që ka qenë duke u zhvilluar prej shumë kohësh po vijon qartësisht në Holandë. Ne ndajmë të njëjtat vlera të patriotizmit dhe duam të vendosim përsëri njerëzit tanë të parët. Asgjë nuk mund të krahasohet me këtë motivim.”

Suksesi i Wilders, ndonëse i formësuar pjesërisht nga kushtet e brendshme, ka nxitur më tej të djathtën e fortë globale, disa ditë pasi Javier Milei, një ekonomist i ekstremit të djathtë dhe ish-ekspert televiziv, u zgjodh president në Argjentinë.

Përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm në Shtetet e Bashkuara – ku Trump shihet si një aleat i ngushtë i nacionalistëve të krahut të djathtë anti-emigrantë të Evropës – epërsia e së djathtës ekstreme në Evropë po shikohet nga afër si një kambanë e zemërimit të votuesve kundër politikanëve tradicionalë në perëndim.

“Ka qenë një trend prej shumë kohësh, por duket se po merr vrull,” tha Catherine Fieschi, një analiste politike dhe bashkëpunëtore në Qendrën Robert Schuman të Institutit Universitar Europian në Firence dhe autore e një libri mbi populizmin.

Partitë e ekstremit të djathtë kanë marrë pushtetin në Itali, kanë shtrirë sundimin e tyre në Hungari, kanë fituar një rol koalicioni në Finlandë, janë bërë partnerë ‘de facto’ të qeverisë në Suedi, kanë hyrë në Parlamentin e Greqisë dhe kanë arritur fitore të habitshme në zgjedhjet rajonale në Austri dhe Gjermani.

Sllovakia është gjithashtu diçka si histori suksesi e ekstremit të djathtë, me Partinë Kombëtare Sllovake të ekstremit të djathtë në mesin e partnerëve të koalicionit që mbështesin populistin Robert Fico – i cili vjen nga e majta ekstreme, por kundërshton emigrimin dhe të drejtat LGBTQ.

E djathta ekstreme evropiane ka parë gjithashtu pengesa këtë vit. Më e madhja ishte në Poloni, ku opozita centriste do e rrëzojë partinë Ligj dhe Drejtësi që qëndronte si një shtyllë e mendimit të djathtë. Dhe në Spanjë, partia populiste Vox humbi më shumë se gjysmën e vendeve të saj në parlament.

Por analistët thonë se partitë e ekstremit të djathtë janë bërë tani forcat kryesore politike në shumicën e vendeve të BE-së dhe po ndikojnë në politika edhe në vendet ku nuk qeverisin.

Mund të përmendet këtu çështja e ndryshimeve klimatike. Denoncimi i premtimeve ambicioze të klimës nga e djathta ekstreme si të dëmshme për klasat punëtore ka zhvendosur debatin në Evropë dhe ka ngadalësuar pjesërisht shndërrimin e gjelbër.

Qeveria e Suedisë po shkurton taksat për gazin dhe naftën dhe po tërhiqet nga taksat për qeset plastike. Qeveria e Partisë Konservatore të Britanisë njoftoi se do vononte një ndalim të të gjitha shitjeve të automjeteve të reja me motor me djegie të brendshme. Në Gjermani, qeverisë iu bë presion për të rishikuar një projektligj gjithëpërfshirës që kërkonte të ndalonte kaldajat me lëndë djegëse fosile.

Fitorja e Wilders në zgjedhjet e fundit të mëdha evropiane të vitit ka rinovuar shqetësimin se e djathta ekstreme mund të fitojë ndikim ose të bëhet “mbret” në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të pranverës së ardhshme, me pasoja për qëndrimin e BE-së ndaj emigracionit, LGBTQ, abortit, veprim klimatik dhe mbështetjes për Ukrainën.

Si arriti e djathta ekstreme të bëhej e zakonshme në Evropë

E djathta ekstreme në Evropë është rritur dalëngadalë në continent për dhjetëvjeçarë. Si në shumë vende, ajo luftoi për vëmendje gjatë pandemisë. Por tani është duke u ushqyer me “raketa” nga inflacioni i lartë, pasojat nga lufta në Ukrainë, emigracioni në rritje, pabarazia në rritje dhe dështimi i perceptuar i klasës politike tradicionale.

E djathta ekstreme e Evropës ka kërkuar të pastrojë figurën e saj, duke shkëmbyer veshjet e lëkurës me kostume. Politikanët e ekstremit të djathtë janë përpjekur gjithashtu të zgjerojnë thirrjen e tyre drejt publikut duke frenuar retorikën e tyre më nxitëse.

Modeli është një Orban më pak luftarak dhe një Giorgia Meloni më luftarake, e cila këtë vit iu bashkua klubit të vogël të liderëve të huaj të ekstremit të djathtë që kanë vizituar Shtëpinë e Bardhë të Biden.

Partia e Wilders mban ende një qëndrim të hapur kundër Islamit. Manifesti i tij përfshin rreshtin: “Holanda nuk është një vend islamik: nuk ka shkolla, Kuran apo xhami islame”.

Por analistët thanë se ai mësoi nga partitë e tjera të ekstremit të djathtë në Evropë mbi përfitimet e përqendrimit në çështjet e zakonshme të përditshme.

Diku tjetër, shkëndijat mbi origjinën antisemitike të së djathtës ekstreme mbeten. Por politikanët që shprehin pikëpamje të tilla mund të shohin se karriera e tyre po vuan.

Në qershor, Vilhelm Junnila i Partisë së ekstremit të djathtë finlandeze – tani një anëtar i koalicionit qeverisës – u detyrua të jepte dorëheqjen pas vetëm 10 ditësh në detyrë mes akuzave se ai kishte bërë referenca pro-naziste në një konferencë të vitit 2019.

Ndërkohë, liderët e djathtë në të gjithë Evropën janë shfaqur si disa nga mbështetësit më të fortë të Izraelit në konfliktin e tanishëm në Gaza.

Një qeveri e drejtuar nga Ëilders do ishte një dhimbje koke për BE-në. Platforma e partisë së tij bën thirrje për një referendum të detyrueshëm “Nexit” – një perspektivë edhe më e rrëmujshme se Brexit, pasi Holanda ndan dy kufij tokësorë dhe një monedhë të përbashkët me vendet e tjera në bllok. Analistët parashikojnë se ai ndoshta do duhet të heqë dorë nga kjo kërkesë në negociatat për të gjetur partnerët e koalicionit.

Përtej Holandës, që kur Brexit u pa se i kishte bërë Britanisë më shumë dëm sesa mirë, agjitacioni i së djathtës ekstreme për t’u larguar nga BE-ja është zbutur, duke u zëvendësuar nga kërkesat për një union më të mbyllur.

“Sot, ata të gjithë e duan tregun e  përbashkët,” tha Rosa Balfour, drejtore e Carnegie Europe.

“Ata po e marrin shembull nga Viktor Orban. Ata nuk duan një politikë të jashtme të përbashkët. Ata nuk duan ndërhyrje në kufizimin e sundimit të ligjit. Por ata duan paratë e BE-së.”

Si u zhvendos drejt së djathtës e majta tradicionale e Evropës

Zgjedhjet holandeze nxjerrin në pah sesi politikanët centristë i janë përgjigjur rritjes së ekstremit të djathtë duke iu afruar pozicioneve të ekstremit të djathtë. Në shumë raste, kjo vetëm sa ka ndihmuar më tej sfiduesit e tyre më radikalë.

Simon Otjes, një asistent profesor në Universitetin e Leiden, që studion politikën holandeze, tha se qendra e djathtë në Holandë u përpoq të tërheqë votuesit duke bërë fushatën për emigracionin. Por duke e bërë këtë, tha ai, ata po “punonin” për ekstremin të djathtë, duke u dhënë atyre vota.

Të njëjtat lloj përpjekjesh për të zgjedhur pikat e bisedimeve të ekstremit të djathtë kanë ndodhur në të gjithë Evropën, thanë analistët.

“Për çështjet që e djathta ekstreme i sheh si më të rëndësishmet në Evropë – emigracioni, krimi i kryer nga emigrantët, shoqëria multikulturore, debati perëndimor mbi gjininë, pikëpamjet më tradicionale mbi familjet – shumë parti të tjera tani janë përshtatur me retorikën e tyre”, tha Ann- Kathrine Junger, një shkencëtare politike në Universitetin Södertörn të Suedisë.

“Partitë e ekstremit të djathtë dhe axhendat e tyre kanë hyrë në rrjedhën kryesore. Ata janë normalja e re.”

Kjo është veçanërisht e vërtetë për politikat e emigracionit.

Numri i emigrantëve që hynë në Evropë këtë vit u rrit në nivele që nuk janë parë që nga viti 2016, duke përforcuar thirrjen e së djathtës ekstreme kundër emigrantëve dhe duke i shtyrë politikanët tradicionalë drejt linjave më të ashpra.

Pas një debati të gjerë, vendet e BE-së kanë mbështetur ndryshimet në rregullat e emigracionit të bllokut që mund të marrin miratimin përfundimtar që në fillim të vitit të ardhshëm.

Vendet e vijës së pare për sa i përket pritjes së emigrantëve si Italia dhe Greqia mund të dërgojnë më shumë emigrantë në vende të tjera – ose të paguhen nga ata që kundërshtojnë. E rëndësishme në këtë drejtim është se dëbimet mund të përshpejtohen dhe koha e ndalimit mund të zgjatet.

Në nivel vendi, midis grupeve politike të ekstremit të djathtë që kanë shtyrë me sukses një qëndrim më të ashpër ndaj emigracionit janë demokratët suedezë, të cilët nuk janë pjesë e qeverisë së koalicionit, por megjithatë e ndikojnë atë nëpërmjet një marrëveshjeje politike.

E nxitur nga demokratët suedezë, qeveria propozoi një rishikim të ligjeve të emigracionit që do hiqte vizat e përhershme për azilkërkuesit dhe do vendoste pengesa më të ashpra për ato të përkohshme.

Qeveria dëshiron të detyrojë bashkitë dhe autoritetet publike të raportojnë emigrantët e paligjshëm. Azilkërkuesve tashmë në vend do t’u jepet informacion dhe nxitje për t’u larguar. Qeveria këtë muaj njoftoi se do studionte mënyrat për të dëbuar azilkërkuesit jo vetëm për kryerjen e krimeve, por edhe për pasjen e borxheve të papaguara ose për ndërmarrjen e veprime që minojnë demokracinë e vendit.

“Një kusht themelor për integrim të suksesshëm është që njerëzit që duan të jetojnë në Suedi të respektojnë normat bazë dhe të jetojnë në mënyrë të ndershme dhe të rregullt,” u tha gazetarëve ministrja e Emigracionit e Suedisë, Maria Malmer Stenergard.

Në Itali, ku Meloni drejton qeverinë më të djathtë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, një premtim i fushatës për të frenuar emigracionin mbetet i paplotësuar – vendi këtë vit mori numrin më të madh të hyrjeve të parregullta që nga kriza rajonale e emigrantëve në vitin 2016.

Por qeveria po lëviz për ta bërë Italinë më pak një destinacion emigrimi.

“Gjatë 10 viteve të fundit, ne dëshmuam qeveritë e qendrës së majtë të cilët ishin fanatikë të teorisë së kufije të hapur, të cilët nuk u interesuan për t’u përshtatur me një gjendje në ndryshim,” tha Sara Kelany, një ligjvënëse për partinë Fratelli D’Italia së Melonit dhe drejtuese për sa i përket emigrimit në dhomën e ulët të parlamentit italian.

“Nën Melonin, kjo po ndryshon.”

Qeveria e saj ka autorizuar një dyfishim të “kampeve të riatdhesimit” nga 10 në 20. Emigrantët e parregullt, të mbajtur më parë për një maksimum prej 90 ditësh, tani do përballen me paraburgim deri në 18 muaj. Dëbimet janë rritur me 30 përqind deri më tani këtë vit në afërsisht 2,600, krahasuar me të kaluarën, sipas Kelany.

Javën e kaluar, qeveria e Melonit tha gjithashtu se do paraqiste një projektligj për të ratifikuar një marrëveshje të diskutueshme me Shqipërinë për ngritjen e qendrave në Shqipëri për emigrantët e kapur nga roja bregdetare italiane në det. Kampe të tilla mund të mbajnë deri në 3000 emigrantë në të njëjtën kohë.

Në Francë, nacionalistja Le Pen ka humbur tre zgjedhje presidenciale. Por ndërsa ajo u ngjit sërish në  sondazhe përpara zgjedhjeve ende të largëta të vitit 2027, qeveria e qendrës së djathtë e presidentit Emmanuel Macron kërkoi rregulla më të rrepta për politikën e saj për temën e saj të dashur: emigrimin.

Fieschi paralajmëroi se për centristët, kooptimi i pozicioneve të ekstremit të djathtë shpesh nuk është një strategji fituese.

“Nëse e djathta kryesore fillon të sillet si e djathta populiste, ata nuk marrin vota shtesë, por e djathta populiste sigurisht që merr,” tha ajo.

“Megjithatë partitë kryesore nuk mësojnë kurrë.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani