Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj për protestën: Ia dhashë lejen direkt PD-së, Tirana ka nevojë të kujtojë se nga kush ka shpëtuar


Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar protestën që pritet të mbahet sot nga opozita.

Ai tha se e firmosi menjëherë kërkesën e opozitës për leje për të protestuar, në mënyrë që Tirana të shohë sipas tij se në çfarë derexheje do të kishte përfunduar po të drejtohej ende prej tyre.

Sipas Veliajt, pas protestës së sotme shqiptarët do të kujtohen se nga çfarë njerëzish kanë shpëtuar.

“Kur më pyetën, kryetar a do t’i japim leje Saliut për të protestuar? Për një sekondë mendova se Tirana ka nevojë të kujtojë se nga kush kemi shpëtuar, ka nevojë t’i shohë në shesh, ka nevojë të shohë Nard Ndokën – se mund të ishte ai Ministri i Shëndetësisë; ka nevojë të shohë Fatmir Mediun, se mund të ishte ai në vend të Niko Peleshit e të na hidhe në erë këtu.

Ndaj u thashë se lejen duhet t’ia japim menjëherë sepse njerëzit kanë nevojë të kujtohen se nga çfarë kanë shpëtuar, se kush ka qeverisur këtë vend dhe në çfarë derexheje do të ishim sikur tërmeti dhe pandemia të ishte në duart e tyre. Duhet që njerëzve t’u freskohet kujtesa, të kujtojnë në çfarë mysybeti kemi qenë dhe sa larg kemi ecur me Edi Ramën dhe me Partinë Socialiste.”- deklaroi Veliaj pas një takimi në njësinë Nr.3.

Veliaj shtoi se PS dhe Edi Rama kanë treguar se dinë t’u shërbejnë qytetarëve “me përulësi”.