Vendosni fjalën kyçe....

“Drejtor Shqiponja”, “gënjeshtar” – Shehu i kërkon Nikollës të marrë masa ndaj Ballës: Të dënohen ata që ofendojnë, nuk ia kemi për borxh t’i durojmë këto


Deputeti i PD-së Tritan Shehu ka marrë fjalën nga vendi në seancën e sotme plenare, për t’i kërkuar kryetares së Parlamentit zonjës Lindita Nikolla, të marrë masa ndaj deputetëve që ofendojnë.

Ai e ka fjalën për deklaratat që bëri më herët Taulant Balla, në drejtim të tij, duke e quajtur një herë “drejtor Shqiponja” dhe njëherë tjetër “gënjeshtar”.

“Zonjë ju merrni direktiva nga kolegët e djathtë këtu? Nuk është normale, nuk është në përputhje me procedurën. Ju keni kompetencat tuaja në bazë të procedurës dhe rregullores për të mbajtur rregullin, etikën dhe zhvillimin normal të seancës. Ashtu sikurse për procedurë kërkoj të dënohen ata që ofendojnë.

Ashtu sikurse dënuat z.Spaho që e kam në krah, pak kohë më parë, është e njëjta procedurë, kërkoj të dënohen në bazë të rregullores së Parlamentit, ata të cilët përdorin shprehje jo etike. Sepse realisht nuk ia kemi për borxh askujt të durojmë këto shprehje kur mbrojmë ide, mbrojmë qëndrimin tonë, siç e mbron çdo deputet, në çdo Parlament të botës.

Jemi s’jemi dakord kjo është një gjë tjetër, por nuk ka kurrkush të drejtë të ofendojë. Prandaj kërkoj nga ju zonja kryetare, për hir të procedurës që të mblidhni Konferencën e Kryetarëve, jua thashë dhe pak më parë, por nëse nuk ndërhyni ngjarjet mund të përshkallëzohen dhe nuk është normale, nuk është e bukur në Parlamentin tonë të përshkallëzohen të tillë elementë.

Prandaj veproni që në fillim, vendosni rregullin, mos lejoni të tilla gjëra për të gjithë deputetët, qoftë edhe për mua, megjithëse nuk ofendoj njeri, s’e kam kurrë për zakon këtë gjë dhe të ecim përpara.”– tha Shehu.

Ky reagim vjen pas diskutimeve për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, ku Balla gjatë fjalës së tij iu drejtua Shehut:

“Zoti drejtor i Shqiponjës ulu pak…se nuk keni mësuar se replika nuk është përmendje emri…Mund ta konsideroni fjalën time gjatë kohës së grupit…Së pari mosha duhet të jetë pjekuri për të mos gënjyer sepse nuk ke kohë ta rikuperosh.”

Më tej, Balla përdori përsëri fjalë të cilat Shehu i konsideron fyese. Deputeti socialist tha: “Turp nuk ke që gënjen, gënjeshtar, sepse e vërteta është që rezoluta e parlamentit shqiptar është një hap para. Të thuash gënjeshtar është konstatim dhe jo fyerje. Ata që udhëhiqnin Shqipërinë dhe pranuan marrëveshjet me Malin e Zi dhe Serbinë për ta furnizuan me naftë kontrabandë të mos vinë këtu. Amendament e katranit të kontrabandës së naftës nuk kanë për tu miratuar kurrë në Kuvend e Shqipërisë. Katrani me bojë e ka të mbyllur derën…Zoti ambasador të na falësh për teatrin e kontrabandistëve të naftës, por ne ju shprehim të gjithë solidaritetin dhe jemi me ju…”