Vendosni fjalën kyçe....

BBC: Boris Johnson drejt dorëheqjes, 5 arsyet që e sollën deri këtu


Më pak se tre vjet më parë, Boris Johnson udhëhoqi konservatorët në fitoren e tyre më të madhe zgjedhore që nga viti 1987.

Tani, kryeministri ka humbur mbështetjen e deputetëve të tij dhe sipas medieve britanike është gati të japë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Konservatore. Si erdhi puna deri këtu?

Çështja e Chris Pincher-it

Të mërkurën, më 29 qershor, deputeti Chris Pincher ( i cili në atë kohë ishte dhe zëvendëskryetari konservator) shkoi në një klub privat anëtarësh në Londër. Sipas fjalëve të tij, Pincher “piu shumë” dhe “u turpërua“.

Ai u akuzua se kishte prekur dy burra, gjë që çoi në një mori akuzash, e nisën të dilnin dhe histori të vjetra. Kjo ngjarje nisi një zinxhir ngjarjesh të tjera që përfunduan me rënien e kryeministrit.

Së pari, Downing Street tha se Johnson nuk ishte në dijeni të “pretendimeve specifike” në lidhje me zotin Pincher përpara se ta emëronte atë si zëvendës në shkurt. Ministrat e tij mbajtën këtë linjë – edhe pse doli të ishte e pasaktë.

Më 4 korrik, BBC raportoi se Johnson kishte dijeni për një ankesë zyrtare ndaj Pincher-it. Të nesërmen, një ish-nëpunës civil tha që kryeministrit i ishte thënë personalisht për ankesën.

Johnson më pas pranoi se kishte mësuar në vitin 2019 për një ankesë ndaj deputetit dhe kërkoi falje për emërimin e zotit Pincher si zëvendës shef.

Kriza e kostos së jetesës dhe rritja e taksave

Inflacioni është rritur ndjeshëm në vitin 2022, në normën aktuale prej 9.1%.

Shumë nga arsyet ishin jashtë kontrollit të Boris Johnson. Pushtimi rus i Ukrainës, për shembull, ka çuar në rritje të çmimeve të naftës dhe të kostos së ushqimit.

Dhe, ndërsa qeveria ka ndërmarrë disa hapa, duke ulur tarifën e karburantit me 5 p për litër – ajo gjithashtu vazhdoi me një rritje të taksave në prill.

Qeveria tha se rritja e taksave do të paguante për kujdesin shëndetësor dhe social dhe ndryshimet që filluan këtë javë e zbutën goditjen – por kushdo që fiton më shumë se 34,000 paund në vit do të paguajë akoma më shumë.

“Në mes të krizës më të keqe të kostos së jetesës për dekada qeveria zgjedh të rrisë taksat për njerëzit që punojnë.”- tha lideri laburist Sir Keir Starmer në prill.

Çështja e Owen Paterson

Në tetor 2021, një komitet i Dhomës së Komunave rekomandoi një pezullim 30-ditor për deputetin e atëhershëm konservator Oëen Paterson.

Komiteti tha se ai theu rregullat e lobimit, në përpjekje për të përfituar kompanitë që e paguanin atë.

Por konservatorët me në krye Johnson, votuan për të ndërprerë pezullimin e tij dhe ngritën një komitet të ri për të parë se si u kryen hetimet.

Pas një proteste, zoti Paterson përfundoi duke dhënë dorëheqjen. Johnson më vonë pranoi se ai kishte gabuar në trajtimin e çështjes.

Mungesa e fokusit dhe e ideve

Boris Johnson fitoi shumicën e tij dërrmuese për shkak të një politike të qartë dhe të lehtë për t’u ndjekur – për të realizuar Brexit.

Por që atëherë, kritikët e tij thonë se Johnson kishte mungesë fokusi dhe idesh në Downing Street.

Ish-këshilltari i tij Dominic Cummings, e akuzoi vazhdimisht kryeministrin se ishte jashtë kontrollit, duke u kthyer nga pozicioni në pozicion.

Të tjerë vunë në dyshim filozofinë e kryeministrit – ose nëse ai e kishte një të tillë. Në qershor, deputeti konservator dhe ish-ministri Jeremy Hunt e akuzoi Johnson për mungesë të “integritetit, kompetencës dhe vizionit”.

Tani kryeministri Johnson duket se po largohet.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC-së/Përshtati në shqip Hashtag.al