Vendosni fjalën kyçe....

Ky është 22-vjeçari që humbi jetën pas shembjes së tendës së kalçetos në Sarandë (FOTOT)


22-vjeçari Armando Kazma humbi jetën në mënyrë tragjike mbrëmjen e sotme, pasi struktura mbrojtëse e kalçetos u shemb duke e zënë poshtë për shkak të motit të keq.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 20:50 në zonën e quajtur “Ura e Gajdarit”. I riu po luante futboll në kalçeto, mirëpo struktura metalike e kalçetos u shemb si pasojë e erës së fortë dhe motit të keq që përfshiu qytetin bregdetar.

I riu u dërgua me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.

Armando Kazma ishte nipi i deputeti të PD-së Luan Baçi.

Ky i fundit ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale për humbjen e ripit, të cilin e zunë poshtë mbajtëset metalike të kalçetos pas një ere të fortë.

“Të mori zoti shpejt djali i dajos, të deshi pranë vetes, të mirët kështu ikin! Na dhemb zemra bir, na trishtove, na plagose në zemër! Nuk e besoj dot Armando, kurrë nuk do ta besoj, jo ti nuk mund të largohesh nga ne! Nga Mami jot, nga babi, nga vëllai!

Nga të gjithë ne Armandua jonë! Pse bir, pse të deshi kaq shpejt zoti pranë vetes! Armandua jonë i mirë, kurrë nuk do të harrojmë, do të jesh gjithmonë pranë nesh, i miri ynë! Më fal Armando, më fal bir, lotët nuk më lënë të shkruaj, ndihem i dërmuar, nuk i them dot ato që ndjej! Të duam dhe do të duam pa fund, gjithë jetën sa të kemi frymë! Qofsh i parajsës bir, u prehsh në paqe zemër i dajos!” – shkruan Baçi.

Deputetja e PD-së Ina Zhupa gjithashtu ka reaguar për ngjarjen pasi e njihte të riun dhe i ka shprehur ngushëllimet e saj familjes.

Zhupa ka ndarë një foto me 22-vjeçarin dhe shprehet se ai shkonte i pari në fushatën elektorale të PD-së dhe u largua i fundit. Ajo shton se do ta mbajë mend atë gjithmonë të qeshur.

“Nuk dua ta besoj, nuk doja ta shkruaja kurrë këtë status, dhimbje pafund.

Një nga djemtë më të mirë të Sarandës, një djalë i zoti, një djalë i qeshur, punëtor, i pari në fushatën elektorale në krye të punëve, i fundit u largua deri sa numëroi votën e fundit.

Një djalë i shkolluar, një djalë i urtë, nga një familje e jashtëzakonshme.

Edhe të gjitha këto janë pak për të përshkruar Armandon që sapo mora vesh që u nda nga jeta në moshën 22-vjeçare, aksidentalisht nga një shtyllë kalçeto që u rrëzua nga stuhia me shi.

O zot jepi forcë familjes së tij për këtë dhimbje të papërshkrueshme, jepi forcë njerëzve të afërt.

I paharruar Armando, lotët nuk do thahen kurrë për ty. Parajsa ka engjëllin e vet, ne kemi dhimbjen që po na plas zemrën.

Do të mbaj mend të qeshur gjithmonë.” – shkruan Zhupa.