Vendosni fjalën kyçe....

Stoltenberg: NATO do të shtojë forcat e reagimit të shpejtë


NATO do të rrisë në mënyrë drastike numrin e forcave të saj luftarake të reagimit të shpejtë, kështu tha të hënën Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

“Ne do të transformojmë forcën e reagimit të NATO-s dhe do të rrisim numrin e forcave tona të gatishmërisë së lartë në mbi 300 000.”– u tha Stoltenberg gazetarëve përpara samitit që mbahet në Madrid këtë javë.

Forca e Reagimit të NATO-s (NRF) aktualisht ka rreth 40 000 pjesëtarë personeli.

Stoltenberg tha se aleatët do të forcojnë mbrojtjen e tyre ajrore dhe do të rrisin rezervat e furnizimeve ushtarake.

“Së bashku, kjo përbën rishikimin më të madh të parandalimit dhe mbrojtjes sonë kolektive që nga Lufta e Ftohtë.”– tha ai.

Udhëheqësit e NATO-s do të nisin një samit tre-ditor të martën dhe do të fokusohen në përgjigjen kolektive ndaj konfliktit Rusi-Ukrainë.

“Unë pres që të bëhet e qartë se aleatët e konsiderojnë Rusinë si kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë.”– tha Stoltenberg.

Shumë vende anëtare të NATO-s vendosën sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Moskës dhe e kanë furnizuar Kievin me armë të rënda, duke përfshirë sisteme raketore, drone luftarake dhe automjete të blinduara.

Kujtojmë se presidenti rus Vladimir Putin përmendi zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe “përpjekjet për të fituar një bazë ushtarake” në Ukrainë si arsyet kryesore për nisjen e fushatës ushtarake në fund të shkurtit në Ukrainë.