Vendosni fjalën kyçe....

Një grup maturantësh protestë te Ministria e Arsimit: Na u premtua se s’do kishte pyetje jashtë programit, të ribëhet testi i biologjisë


 

Një ditë pas provimit të fundit të Maturës Shtetërore, atij të lëndës me zgjedhje, një grup maturantësh janë ngritur sot në protestë.

Bëhet fjalë për studentët të cilët kishin zgjedhur si lëndë me zgjedhje biologjinë. Por edhe ata të Fizikës.

Studentët e biologjisë shprehen se pyetjet ishin jashtë programit. Ndërsa ata të fizikës pretendojnë se testi ishte i ngarkuar dhe se koha nuk u dilte për ta përfunduar.

“Nuk i ishin përmbajtur fare programit orientues, duke nisur nga shpërndarja e pikëve dhe nga përfshirja e temave që ishin jashtë programit. Përmendim Formimin që nuk ishte fare në program dhe kishte 3 pikë tek provimi jonë.

Mund të përmendim ekosistemet që sipas programit orientues, ishte parashikuar të mbartnin 3% të pikëve ndërsa nuk ishin përmendur aty fare.

Që të kuptohemi drejt, nuk duam që të na falin pikë, pasi 30% e pikëve rezultojnë të kenë qenë jashtë programit. Duam që të marrim vlerësimin e drejtë për atë çka kemi punuar. Ne kërkojmë ribërjen e tekstit, do ishte zgjidhja më e drejtë. Pikët që i përkasin pyetjeve jashtë programit, kërkojmë që të na eliminohen ose t’u llogariten të gjithëve. Duke qenë se na u premtua në një takim që kemi patur në shkollë me drejtoreshën e QSHA-së që asgjë nuk do të jetë jashtë programit. Testi model nuk kishte lidhje me ato çka na u ofrua me testin e Maturës.”– tha një maturante për “News 24”.

“Unë jam nxënëse ekselente. Nota ime e tre viteve është hedhur poshtë përmes një provimi të dështuar, ku zonja Aurora Balliu na premtoi në shkollë se nuk do të kishte absolutisht asgjë jashtë programit. Por çfarë ndodhi? E kundërta? Kërkojmë ribërjen e testit. Nëse nuk ribëhet testi, këto 18 pikë që nuk janë pak nga pyetjet jashtë programit, ato të konsiderohen automatikisht të sakta.”– tha një tjetër.

Ndërsa një studente që kishte dhënë provimin e Fizikës, thotë se nuk i doli koha t’i zgjidhte të gjitha ushtrimet.

“Provimi ishte tepër i ngarkuar, nuk mund të themi që ishte jashtë programit por koha ishte e pamjaftueshme për t’i zgjidhur të gjitha ushtrimet. Ishin kërkesa të cilat kërkonin shumë zgjidhje të gjata dhe veprimet as nuk dilnin me numra të plotë që mua nuk më duket as normale. Duhet thënë diçka edhe për Fizikën, jo vetëm për biologjinë sepse ishte shumë i ngarkuar.”- tha studentja.